Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile Haki Çako, në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile u shpreh se situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut në vend është nën kontroll.
Po ashtu, ai theksoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë dhe shtabet e ngritura kanë nisur punën për zbatimin e masave në terren. Çako u shpreh se, duke iu referuar Lezhës ku ndodhet aktualisht, prezenca e ujit është në zona të tokës bujqësorë. Sipas tij, banesa nën ujë nuk ka.
Lumi Drin shtoi ai është i mbingarkuar nga shkarkimet që vijnë nga Gjadri, por “situata është nën kontroll të plotë”.
Në Shkodër, mbingarkesa e Liqenit të Shkodrës vjen nga prurjet që vijnë nga Mali i Zi.
“Gjatë gjithë ditës së sotme të gjitha shtabet e mbrojtjes civile në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, me FA-të, të policisë së Shtetit, strukturat e tjera që kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe është shkëmbyer informacion. Shtabet kanë hartuar planet e masave dhe kanë filluar veprimin në terren. Prezenca e ujit është në disa zona të tokës bujqësore. Banesa të rrezikuara nuk ka. Në qarkun e Lezhës problematik është lumi Drin sepse është mbingarkuar me shkarkimet që vijnë nga Gjadri por situata është në kontroll të plotë. Me ndërhyrjen e Bashkisë së Lezhës është bërë rikuperimi në disa vende e kolektorë. Aktualisht kuotat janë optimale, nuk paraqesin rrezik, nuk ka qytetarë që rrezikojnë, gjithsesi FA-të dhe strukturat e tjera janë në gatishmëri të plotë. Në Shkodër, zona e Oblikës ka një pjesë të konsiderueshme nën ujë. Ka një efekt që vjen nga mbingarkesa e liqenit të Shkodrës dhe Gjadri që shkarkon në Drinin e Madh dhe më tej në Bunë. Kontrolli i kaskadave të lumit Drin është i plotë. Kemi qenë në kontakt me drejtorin e përgjithshëm të KESH, OSHEE-së. Kolektorët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në punë. Është bërë një punë shumë e mirë në pastrimin e kanaleve në nivelit të parë dhe niveleve të tjera. Prezencë uji ka pasur dhe në qarkun e Durrësit”, u shpreh Çako.