Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar se PD dhe partia e saj do të hyjnë bashkë në zona të caktuara për zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas Kryemadhit, kjo do të bëhet pasi në zona të caktuara PD dobësohet nëse del me listën e saj të vetme, ndërsa shtoi se sipas saj opozita e bashkuar do të marrë 100 mandate.
“Sot kushdo, edhe nga varri të ngrihet nëse bashkëpunon me Edi Ramën shqiptarët do ta dërrmojnë, qoftë edhe Monika Kryemadhi, Sali Berisha apo Ilir Meta. Koalicioni me PD-në në 2009 ishte jonatyral, pasi ne jemi parti e majtë dhe ata të djathtë. Me një listë, në zona të caktuara dobësohet PD-ja, jo LSI. Në zona të caktuara PD dhe LSI do të hyjnë bashkë. Me dy lista opozita e bashkuar merr 100 mandate”, tha Kryemadhi na një intervistë për syri.net.
Sakaq Monika Kryemadhi, tha se nuk ka ndonjë emocion kur sheh lajmet për largimin e ish-ministrit Nasip Naço drejt PS-së. “Të gjithë ne duhet ta kuptojmë se asnjë prej nesh nuk është i përjetshëm. LSI është një parti që ecën shpejt dhe që të ecësh me ritmin e saj, duhet të ecësh me moton e saj.
LSI është parti e të rinjve dhe të rejave. Ne duhet ta kuptojmë se asnjë parti nuk është e jona, as e Ilir Metës. Është e të rinjve dhe të rejave. Është e vetmja parti që rritet. Është e vetmja parti që në katër palë zgjedhje ka prodhuar personazhe politike,” tha ajo. /abcnews.al/