Daçiç dhe Vulin marrin live vaksinën ruse

schedule14:24 - 6 Janar, 2021

schedule 14:24 - 6 Janar, 2021

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin kanë marrë sot vaksinën ruse kundër koronavirusit, Sputnik V.

Siç raportojnë mediat serbe, Vulin dhe Daçiç janë vaksinuar në Institutin e Virologjisë Torlak në Beograd.

Vaksinën ruse e kanë marrë edhe një sërë zyrtarësh tjerë serbë, përfshirë Marija Gnjatoviç, nga Instituti për Energjinë Bërthamore, Dragana Despot, drejtoreshë e Institutit për Biocide dhe Ekologji Mjekësore dhe Mirsad Gjerlek, sekretar i Shtetit në ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë.

“Të gjithë jemi mirë. Do të marrim dozën e dytë brenda tre javësh, por nuk kam dyshim se do të jemi mirë. Ne nuk kërkuam të bëjmë vaksinën, por iu përgjigjëm kërkesës së ekspertëve që zyrtarët më të lartë të tregojnë publikisht se nuk kanë frikë nga vaksinat”, tha kryetari i Kuvendit, Ivica Daçiç.

Ai deklaroi se ky veprim nuk ka motive politike dhe shtoi se është rënë dakord që udhëheqësit e lartë institucional të merrnin vaksinat nga prodhues të ndryshëm në mënyrë që të rrisin besimin e qytetarëve në vaksinimin kundër COVID 19.

“Ne do të ju informojmë nëse nuk jemi mirë, por nuk besoj se bash vaksina ruse do të na ‘godasë’”, tha Daçiç.

Ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin theksoi se vaksinimi kundër COVID-19 është falas. “Unë besoj se vaksina është e mirë dhe se të gjithë duhet ta marrin atë. Doja të bëja një vaksinë ruse sepse besoj në mjekësinë ruse”,u shpreh ai.

Dorëzimi i parë i 2,400 dozave të vaksinave Sputnik V arriti në Serbi më 30 dhjetor. Agjencia serbe për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore (ALIMS) njoftoi një ditë më vonë se importi ishte aprovuar dhe se ajo kishte përmbushur kushtet ligjore për përdorim. Serbia dhe Bjellorusia janë vendet e para në kontinentin evropian që janë furnizuar me këtë vaksinë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!