Gjykata Speciale ka marrë vendim që t’i lë në paraurgim dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Së fundmi në vendimin e tij gjykatësi Nicolas Guillou konstaton se vazhdimi i paraburgimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt është i nevojshëm.
“Gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se ndalimi i z. Gucati është i nevojshëm dhe proporcional në rrethanat aktuale”, thuhet në vendim.
Guillou ka kërkuar nga palët që deri më 1 shkurt të dërgojnë parashtresat e tyre për lirim me kusht.
Mbrojtja e Gucatit kishte propozuar tri kushte për lirimin e kryetarit të OVL-së së UÇK-së nga paraburgimi. Kushti i parë ishte që ai të mos hyjë në Prishtinë, i dyti ishte që ai të ketë vetëm një pajisje elektronike për komunikim ku do të kishte qasje edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe kushti i tretë ishte që ai të jetonte jashtë Kosovës. Mbrojtja ofronte që Gucati të banonte në një shtet të tretë, në ndonjë shtëpi të ndonjë të afërmi.
Ndërkaq mbrojtja e Nasim Haradinajt kishte propozuar më shumë kushte. Aty përfshiheshin dorëzimi i pasaportës dhe ndalimi për ta lëshuar Kosovës përveç paraqitjeve në Gjykatën Speciale, të mos e ndërrojë venbanimin, çdo pajisje e tij komunikimi të jetë e lidhur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të raportojë në ndonjë stacion lokal policor, të përmbahet nga kontakti me Hysni Gucatin dhe të mos komunikojë me media.
Megjithatë, Gjykata Speciale i ka hedhur poshtë të gjitha këto ‘garanci’ dhe ka vendosur t’ua vazhdojë atyre paraburgimin. Vendimi është marrë më 24 dhjetor 2020./abcnews.al