Politologu Arbër Zaimi, deklaroi se sindikatat dhe partitë politike janë dy organizimet legjitime më të mira të qytetarëve që bëjnë një demokraci të shëndetshme.
I ftuari në emisionin “Refleksione”, Zaimi deklaroi se kur e dobëson demokracinë duke shkatërruar sindikatat dhe duke ngritur tek partia politike kultin e individit përfundon këtu ku jemi ne sot.
“Me neoliberalizmin kemi problemin që u godit e drejta e punëtorëve për tu organizuar, u goditën sindikatat dhe kështu u prish ekuilibri. Aty ku pushteti dhe kapitali duhet të ndërveprojnë së bashku pa pasur nevojën të ekuilibrohen me një të tretë, ndodh ajo që quhet ‘kapje e shtetit’.
Shtetin nuk e kap qytetari, apo punëtori, as hallexhiu, shtetin e kap fatkeqësisht oligarku. Dhe kjo është duke u diskutuar edhe sot nëpër botë.
Se organizimi sindikal, partiak janë themeli i demokracive. Duke u luftuar kapja e shtetit, duke u luftuar korrupsioni, duke u kthyer transparenca ri-themelojmë demokracinë, ashtu siç po veprojnë të gjitha partitë e majta dhe të djathta në botë,” deklaroi ndër të tjera Zaimi në emisionin “Refleksione”.
/abcnews.al/