Rrëshqitje dheu në Norvegji, 7 viktima dhe 3 të zhdukur

schedule13:13 - 4 Janar, 2021

schedule 13:13 - 4 Janar, 2021

Shtatë viktima dhe tre të zhdukur është bilanci i rrëshqitjes së dheut që përfshiu fshatin norvegjez të Ask, 25 kilometra në veri lindje të Oslos. Lajmi është konfirmuar nga policia e cila shtoi se ka ende shpresa për të gjetur të gjallë personat që i mungojnë apelit. Helikopterë dhe dronë po kontrollojnë zonën prej ditësh. Forcat e kërkim shpëtimit kanë kontrolluar pjesën më të madhe të terrenit duke u mbështetur në struktura të improvizuara për shkak të baltës, dhe kanë arritur në shtëpitë e shkatërruara. Të dielën u nxorën tre trupa të pajetë pas katër viktimave të së shtunës.

Një pjesë e kodrës së ndodhet mbi Ask, rrëshqiti, duke përmbytur banesat me baltë, tokë, dhe dëborë. Disa nga shtëpitë janë shtypur nga një sasi e madhe gurësh, të tjerat janë dëmtuar, ndërsa disa janë zhvendosur disa metra më tej.

Në origjinë të tragjedisë është një terren i veçantë skandinav, i cili ka gjasa të shpërbëhet nëse mbi të ka peshë të konsiderueshme, në këtë rast dëborë.

Tragjedia, e cila ka marrë vëmendjen e të gjithë vendit është një prej rrëshqitjeve të dheut më të rënda që është regjistruar ndonjëherë në Norvegji. Mbreti me bashkëshorten, princi dhe kryeministrja kanë shkuar në zonë për të takuar forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Autoritetet u shprehën se në këtë tragjedi mund të kenë ndikuar dhe reshjet e dendura, e tashmë polemikat janë ndezur për faktin e pse është lejuar të ndërtohen banime në atë zonë të rrezikshme.

Në fakt një hetim i vitit 2005 e cilësoi zonën si me rrezikshmëri të lartë për rrëshqitje dheu, pavarësisht kësaj në zonë nisi ndërtimi i shtëpive tre vjet më vonë./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!