Kuvendit i dorëzohet kërkesa për forcimin e ligjit të dekriminalizimit

schedule15:20 - 3 Janar, 2021

schedule 15:20 - 3 Janar, 2021

Nga Erneta Shevroja

Ligji i Dekriminalizimit shkundi jo pak parlamentin që doli nga zgjedhjet e 2013, kur Edi Rama fitoi të drejtën për të qeverisur.

Kjo u përsërit edhe pas zgjedhjeve lokale të 2019, kur disa drejtues as nuk arritën të ulen në karrigen e drejtuesit të pushtetit vendor, siç ishte rasti i Valdrin Pjetrit të Shkodrës, por që nuk është i vetëm.

Tashmë që drejtuesit e partive po përgatisin listat e kandidatëve për deputetët për zgjedhjet e 25 prillit, kërkohet që ky ligj të forcohet edhe më tutje, për të pamundësuar hyrjen në parlament të individëve që kanë kryer vepra penale ose ndaj të cilëve ka proces gjyqësor të hapur.

Listat e kandidatëve nga partitë apo koalicionet duhet të dorëzohen në KQZ deri më 7 mars, afati i fundit që lejon Kodi Zgjedhor.

Ndërkohë drejtuesve u janë bërë thirrje të përsëritura edhe nga ambasadorja amerikane, Juri Kim që të propozojnë kandidatë të papërlyer. Apeli i fundit i saj ka qenë në 12 dhjetor ku pas një takimi të gjatë me Lulzim Bashës do të shkruante:” Të gjitha partitë duhet të kenë kandidatë të pastër. SHBA do të bëjë pjesën e vet për të mbështetur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri”

Ata që janë larguar deri më tani si pasojë e ligjit të dekriminalizimit kanë qenë të dënuar në formë jopërfundimtare në vende  të Bashkimit Evropian, në shba, Kanada e Australi, ndërkohë që ishin përjashtuar shtete të rajonit. Kësaj liste i janë shtuar edhe 8 vende të tjera.

Së fundmi në Kuvend është depozituar një kërkesë për ndryshim të ligjit të miratuar në vitin 2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ku propozohet të shtohen edhe vende që nuk janë pjesë e BE, si Zvicra, Norvegjia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.

Pra, edhe individë që janë dënuar në formë jo përfundimtare ose janë dëbuar nga këto shtete u ndalohet të kandidojnë për t’u zgjedhur deputetë apo poste të tjera të larta.

Forcimi i ligjit është propozuar nga deputeti i opozitës, Vasil Sterojavski dhe pritet të shqyrtohet në seancat e ardhshme parlamentare.

/abcnews.al/