FOTO/ Meta nderon At Gjergj Fishtën me Dekoratën e Flamurit

schedule14:27 - 30 Dhjetor, 2020

schedule 14:27 - 30 Dhjetor, 2020

Presidenti Meta nderoi me Dekoratën e Flamurit Kombëtar At Gjergj Fishtën me rastin e 80-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Kjo është dekorata më e lartë në Republikën e Shqipërisë.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Meta shkruan se se nëpërmjet veprave të tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.

Postimi i Metës

Me rastin e 80-Vjetorit të ndarjes nga jeta, në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, At Gjergj Fishtën, atdhetarin, historianin, gjuhëtarin e madh, diplomatin dhe iluministin e shquar, për të cilin interesat kombëtare ishin po aq të shenjta, sa vetë besimi që i përkiste.

Nëpërmjet veprave të Tij të çmuara artistike, ai ngriti lart, shpalosi botërisht dhe skaliti në përjetësi vlerat dhe virtytet e veçanta autoktone, si dhe përpjekjet e parreshtura të kombit shqiptar për liri, mbrojtje të trojeve shqiptare dhe të sovranitetit të vendit.

Vepra e Tij e vyer do ta ndriçojë përherë kombin tonë për të tejkaluar çdo sprovë në mbrojtje të Pavarësisë, Lirisë, Demokracisë dhe së ardhmen europiane.