Stefan De Vrij është një nga pikat më të forta të Interit. Mbrojtësi holandez është përshtatur për mrekulli me skemat e Antonio Contes dhe beson te titulli kampionat. Diferenca me Milanin e vendit të parë është vetëm një pikë, teksa zikaltrit kanë fituar 7 ndeshjet e fundit në kampionat.
Në prononcimin e gjatë të dhënë për Gazzetta dello Sport, 28-vjeçari flet rreth pseudonimit “The Wall”, me të cilin dikur thërrisnin argjentinasin Walter Samuel. De Vrij ndalet edhe te kushërinjtë e Milanit, duke vlerësuar Stefano Piolin, ish-trajnerin e tij te Lazio.
PSEUDONIMI – “E pranoj, më pëlqen të më thërrasin ‘The Wall’ (muri). Në Holandë nuk kisha asnjë pseudonim. E di që kështu thërrisnin Walter Samuel. Jam takuar disa herë me të, ka qenë një mbrojtës shumë i fortë dhe është një person pozitiv”.
INTERI – “Jemi bërë shumë kompakt si skuadër dhe një gjë e tillë na e bën më të lehtë punën ne mbrojtësve. Jemi një repart i bashkuar, jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Kalojmë bukur edhe jashtë fushave, kjo na ndihmon shumë”.
CONTE – “Ai është fitues, i transmeton skuadrës dëshirën për fitore dhe tenton të shfrytëzojë potencialin e të gjithëve. Fokusohet shumë te çdo futbollist dhe na transmeton shumë pasion dhe mentalitet fituesi. Mua më thotë që jam shumë i butë dhe më i mirë seç duhet. Ka raste kur duhet të tregohem më i keq, Conte më ka përmirësuar në këtë aspekt”.
MILAN – “Ata kanë krijuar një skuadër shumë të mirë dhe kanë lojtarë të fortë në përbërje. Kam vënë re diçka, më duken shumë të bashkuar. Pastaj është edhe Pioli, e njoh shumë mirë si trajner. Kam punuar dy vite me të, është një trajner i aftë, shumë i përgatitur dhe një person shumë human. Jam shumë i lumtur për rritjen e tij profesionale”.
TITULLI – “Çdo fjalë është e lejuar në fjalorin tim, sigurisht edhe fjala titull. Por siç është e kotë të merresh shumë me të kaluarën, është gjithashtu e kotë të shohësh shumë përpara. Ndodhemi në vendet e para dhe duam të jemi në vend të parë në fund të kampionatit. Le t’i fitojmë ndeshjet një nga një”.
CHAMPIONS – “Sigurisht që na mungoi diçka, rrugëtimi ynë nuk mjaftoi që të siguronim kualifikimin. Kishim shumë dëshirë të vijonin të luanim në Europë, por tani jemi përqendruar për të bërë mirë në kampionat dhe Kupën e Italisë. Mund të kthehet në njëfarë avantazhi që nuk do të kem impenjime në Europë”. /abcnews.al