Massimiliano Mirabelli mbajti detyrën e drejtorit sportiv të Milanit në periudhën prill 2017-korrik 2018. 51-vjeçari është rikthyer të flasë për kuqezinjtë, duke vlerësuar shumë punën e Stefano Piolit në pankinë.
Trajneri ia ka dalë të formojë një grup të fortë, t’i japë Milanit një identitet loje dhe t’i rendisë në krye të Serie A për momentin. “Pioli po bën një punë të shkëlqyer. Të renditësh përpara dy luftanijeve si Juventusi dhe Interi, nuk është e thjeshtë.
Po flasim për dy ekipe shumë të forta me lojtarë shumë të rëndësishëm në përbërje“, deklaron Mirabelli për TMW Radio. Ky i fundit jep edhe një mendim në lidhje me sulmuesin që duhet të marrin kuqezinjtë në merkaton e janarit.
“Më pëlqen shumë Milik, i cili është lojtar i ri në moshë por ekspert në fushë. Jam i dashuruar me të prej një kohe të gjatë. Do të kënaqesha edhe nëse Milan merr Gianluca Scamacca (Genoa)“, përfundon ish-drejtuesi i “Djallit”. /abcnews.al