Një banor i zonës në kthesën e Qarrit në Levan të Fierit ku ndodhi aksidenti me dy të vdekur mëngjesin e sotëm, ka deklaruar se ata kanë ndërruar jetë si pasojë e mbytjes në kanalin e ujit. Ai tha se një person që ka qenë prezent pak momente pas rrëzimit të automjetit në kanal, i ka parë duke qëlluar me grusht drejt xhamit por nuk kanë pasur mundësi të ndërhyjnë për t’i shpëtuar.
Në momentin kur kanë mbërritur forcat e parë të urgjencës, dy personat, një burrë dhe një grua janë nxjerrë të pajetë nga automjeti. Banori thotë se ky aks rrugor paraqet rrezikshmëri të lartë për banorët që kalojnë në këtë zonë pasi nuk ka tabela dhe sinjalistika.
“Aksidentin nuk e pashë. Mua më mori në telefon një Bujar Troka këtu. Hajde një sekond tha. Unë vij brenda 10 minutash këtu. Ku është makina ka rënë brenda në ujë. Po personat ku janë, janë brenda tha ai. Unë e godas xhamin e jashtëm. I vë litarin makinës dhe i nxjerrim lart pastaj.
Personat ishin mbytur. Ai që ishte këtu po shikonte që ata donin të dilnim nga xhami i pasëm. I binin xhamit. Donin të dilnin nga xhami. Vijnë që nga rruga njerëzit në greminë. Asnjë tabelë asnjë gjë. Kanë ndodhur aksidente të tjera. Thonë që këta që vdiqën janë nga Shtyllasi. Mund të kenë ngatërruar rrugën”, shprehet ai./mv.abcnews.al