Khabib Nurmagomedov mbylli para disa javësh karrierën e tij si luftëtar i MMA, duke mundur Gaethje dhe qëndruar i pamposhtur. Por Khabib mund të rikthehet përsëri. Paratë dhe fama janë shumë tundues dhe rusi mund të kthehet në rast se i jepet mundësia të bëjë një sfidë të fortë dhe fitimprurëse.
Flitet për një përballje të dytë me McGregor, por shoku i rusit, ish-luftëtari Daniel Cormier shprehet ndryshe në lidhje me këtë çështje. Sipas tij Khabib mund të rikthehet në oktagon vetëm për një betejë me luftëtarin kanadez, Georges St-Pierre.
“Unë e njoh Khabib personalisht, e di se Dana dëshiron që të marrë revanshin mes tij dhe McGregor, por unë besoj se ai kërkon një sfidë shumë të madhe, një sfidë historike sepse Khabib dëshiron që ta bëjë historinë dhe e di se një fitore ndaj St-Pierre kërkohet shumë nga ai”, u shpreh Cormier. /abcnews.al