Covid 19, integrimi i emigrantëve në Europë më i rëndësishëm se kurrë

schedule11:31 - 22 Dhjetor, 2020

schedule 11:31 - 22 Dhjetor, 2020

Nga Maria Nyman, euronews

Emigrantët, veçanërisht nga vendet jashtë BE-së, kanë luajtur një rol jetik në punën e supermarketeve, transportit publik, dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësor që kanë qenë funksionale  gjatë pandemisë – të njëjtët sektorë që janë përballur me mungesë të fuqisë punëtore para pandemisë, shpesh për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të këqija të punës.

Emigrimi është çelësi për të gjallëruar ekonominë dhe punën. Sidoqoftë, emigrantët zakonisht kalojnë sfida serioze socio-ekonomike, pjesërisht sepse ata mund të jenë të rinj në tregun e punës të vendit ku punojnë, por edhe për shkak të pengesave strukturore, siç janë diskriminimi dhe pengesat administrative.

Emigrantët mund të kontribuojnë shumë më tepër, por sfidat shpesh pengojnë potencialin e tyre të plotë dhe kontributin e tyre në shoqëri, në Austri, për shembull, një studim i vitit 2020 nga Arbeiterkammer (Dhoma e Punës) ka treguar se një në tre emigrantë janë të punësuar nën nivelin e arsimit zyrtar të tij / saj, krahasuar me vendasit.

Emigrantët në të gjithë Europën ka më shumë të ngjarë të punësohen në kontrata me afat të caktuar dhe jo standarde duke punuar në sektorë sezonalë dhe duke marrë paga më të ulëta.

Emigrantët janë ndër të parët që preken nga rënia ekonomike, të tilla si ato të shkaktuara nga pandemia e COVID-19. Përmes punës së tij sociale me emigrantët, rrjeti Caritas  ka dëshmuar një rritje të kërkesës për nevoja ushqimore dhe strehim.

Bota po përjeton gjithashtu një rritje në kërkesën për ndihmë nga studentët emigrantë që kanë humbur punën e tyre me kohë të pjesshme.

Megjithëse kërkesa për ndihmë sociale qeveritare mund të jetë një mundësi për shtetasit,  nuk është gjithmonë rasti për emigrantët. Veçanërisht studentët emigrantë mund të rrezikojnë të humbasin lejet e qëndrimit dhe të humbasin të drejtën e tyre për të qëndruar dhe për të studiuar.

Mungesa e njohjes së kontributeve të emigrantëve dhe e solidaritetit reflektohet gjithashtu në negociatat që kanë ndodhur  mes vendeve të BE-së, dhe veçanërisht në bashkëpunimin e BE-së me vendet e treta.

Kjo është e dukshme në Paktin e ri të Migrimit dhe Azilit të BE-së – marrëveshja e re midis BE-së dhe grupit të vendeve Afrikane, Karaibeve dhe Paqësorit – dhe partneriteti i ri BE-Afrikë.

Pavarësisht nga roli thelbësor që punëtorët emigrantë luajnë përballë pandemisë, propozimet nga pala e BE-së në kontekstin e këtyre negociatave tregojnë shumë pak progres nga kornizat e mëparshme dhe  mungojnë hapat konkretë për të lehtësuar emigrimin e rregullt.

Në vend të kësaj, këto propozime kryesisht përqendrohen në masat afatshkurtra që synojnë kryesisht forcimin e kontrollit të kufirit dhe zvogëlimin e ardhjeve të emigrantëve në Europë.

Kjo mungesë e vazhdueshme e solidaritetit jo vetëm që tregon se ne po largohemi gjithnjë e më tepër nga vlerat thelbësore europiane, por gjithashtu se BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë dështuar të krijojnë një mjedis  që mund të rrisë kontributet pozitive të emigrantëve në vendet e tyre të lindjes.

Sa më shumë emigrantë të jenë të mirëpritur, aq më shumë vendet pritëse dhe komunitetet e tyre mund të përfitojnë nga kontributet e tyre.

Kriza e COVID-19 po krijon momentin e duhur për t’i dhënë një shtysë kësaj situate aq të nevojshme.

Duke u bazuar në përvojën e tij të gjatë duke shërbyer për njerëzit në nevojë, përfshirë emigrantët, rrjeti Caritas Europa (është rrjeti i 49 organizatave anëtare në 46 vende europiane)  kërkon politika që mundësojnë dhe forcojnë përfshirjen sociale dhe ekonomike të emigrantëve.

Emigrantët duhet të kenë qasje në punë që pasqyrojnë nivelin e tyre zyrtar arsimor, duhet të marrin kontrata zyrtare,të kenë kushte të drejta pune dhe të njëjtën pagë si vendasit në të njëjtën pozitë. Europa ka nevojë për një qasje të bazuar në të drejtat afatgjata ndaj migracionit, e cila përqendrohet në shfrytëzimin e aspekteve të saj pozitive dhe të sigurojë që aftësitë dhe kontributet e emigrantëve të vlerësohen publikisht.

Një qasje e tillë është e rëndësishme më shumë se kurrë më parë – politikanët nuk duhet t’i lejojnë më vetes të humbasin këto mundësi të vlefshme për të adresuar ndikimin socio-ekonomik të COVID-19 duke u përfshirë në politika të ndryshme që formohen nga keqkuptimet e dëmshme të emigracionit.

Është koha për të ndërmarrë veprime në përputhje me të drejtat e njeriut, vlerat e BE-së dhe kontributet jetike që emigrantët japin në shoqëritë tona. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!