Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka prezantuar ekipin e tij për mjedisin dhe energjinë, duke thënë se ata do të jenë pjesë e planit ambicioz për të punuar në lidhje me kërcënimin ekzistencial të kohës sonë, të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.
Duke folur në një event të organizuar në Uillmington të Delauerit, Biden tha se ndryshimet klimatike dhe çështjet mjedisore do të jenë në fokus të administratës së tij.
“Jemi në krizë. Siç duhet të jemi të bashkuar për t’iu përgjigjur COVID-19, njësoj duhet të jemi të bashkuar për t’iu përgjigjur edhe ndryshimeve klimatike”.
Biden pritet që të ketë një qasje tjetër nga ajo e presidentit Donald Trump lidhur me këtë çështje. Vlen të kujtohet se Trump i tërhoqi SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për klimën.
Ndërkaq, Biden deklaroi se po planifikon që ta kthejë SHBA-në në Marrëveshjen e Parisit. Luftimi i ndryshimeve klimatike dhe përmirësimi i mjedisit, po ashtu pritet të jenë pjesë e planit të rimëkëmbjes ekonomike të Presidentit të ri Demokrat.
Gjatë fjalimit të tij në Uillmington, Biden përsëriti premtimin se ekipi i tij do të pasqyrojë diversitetin e Shteteve të Bashkuara.
“Tashmë ka më shumë njerëz me ngjyrë në kabinetin tonë sesa në çdo kabinet tjetër, po ashtu ka më shumë gra se kurrë më parë”.
Në mesin e të nominuarve për ekipin e mjedisit, Biden ka zgjedhur Deb Haaland nga Nju Meksiko, që pritet të udhëheqë Departamentin e Brendshëm, departament që është përgjegjës për menaxhimin e tokës dhe burimeve federale.
Nëse konfirmohet nga Senati, Haaland do të bëhej amerikania e parë autoktone që do të udhëhiqte Departamentin e Brendshëm./abcnews.al