Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka deklaruar në emisionin “Bardh a Zi” në ABC se dy ditët e para të protestës ishin plotësisht të drejta për shkak të kauzës që ngrinin për vrasjen e një të riu.
Gonxhe tha se pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj gjithçka u pre si me thikë dhe këtu dhuna stonon me kauzën për të cilën nisi protesta.
“Nuk mund të krahasohet ajo epokë me këtë ku jemi sot. Ngjarja ishte shumë e rëndë. Duhet të kemi kurajon të themi se kjo ishte një ngjarje që nuk duhet të kishte ndodhur. Me kazanë e me bredha bëhen prapë, por jeta e njeriut jo.
Nuk është shoqëria perfekte dhe nuk jemi në kushte perfekte. Është policia e një vendi në zhvillim. Ka organe që nuk mund t’i ikin dot kësaj ngjarje. Unë nuk e di çfarë duhet të them për të thënë se është e mirëkuptuar pjesa e ditës së parë dhe ditës së dytë. Pas dorëheqjes dhuna stonon. Unë edhe këtë e them me shumë rezervë”, tha Gonxhe./mv.abcnews.al