Nga Jason Lyall “Foreign Affairs”
Bota ka hyrë në një epokë të luftërave me dronë. Në 4 luftëra të mëdha ndërshtetërore
të ndodhura 5 vitet e fundit – ato në Libi, Nagorno-Karabak, Siri dhe Ukrainë – dronët ushtarakë luajtën një rol dominant, dhe ndoshta vendimtar.
E megjithatë debatet mbi dromët fokusohen ende tek përdorimi i tyre kundër aktorëve jo-shtetërorë, siç janë Talebanët , apo tek spekulimet rreth rolit të tyre të mundshëm në luftërat midis Shteteve të Bashkuara dhe konkurrentëve si Kina.
Këto diskutime, kanë bërë që shumë studiues të arrijnë në përfundimin se dronët janë aq të ndërlikuar dhe të brishtë, saqë kanë një përdorim apo rëndësi të kufizuar për luftërat midis shteteve. Madje disa analistë argumentojnë se dronët mund të promovojnë stabilitetin ndërkombëtar.
Vendet mund të kenë më pak të ngjarë të zhyten një konflikt të gjerë me një vend tjetër, nëse ky i fundit i rrëzon një dron ushtarak pa pilot dhe jo një avion me një pilot brenda. Por dëshmitë në rritje, flasin në fakt për një tendencë më shqetësuese.
Dronët e lirë dhe të mbijetueshëm, të kombinuar me forcat e blinduara dhe artilerinë, u ofrojnë ushtrive përparësi reale në fushën e betejës. Katër konfliktet e fundit në të cilat janë shfaqur dronët, tregojnë se edhe mjetet më modeste mund të ndihmojnë në fitoret ushtarake dhe të ndryshojnë gjeopolitikën.
Dhe ndërsa dronët po bëhen pjesë e arsenaleve të më shumë vendeve – duke u rritur nga 8 në vitin 2015, në 20 vende sot – aktorët e rinj janë gati që të shfrytëzojnë shansin që ofrojnë ato për të pushtuar territore apo për të rindezur konfliktet të ngrira më parë.
Ndaj qeveritë dhe analistët, duhet të ri-mendojnë rolin që mund të luajnë këto armë në rritjen e rrezikut të dhunës ndërshtetërore. Studiuesit kanë theksuar prej kohësh, se armët sulmuese janë destabilizuese, pasi ato ulin kostot e pushtimit, dhe shtojnë frikën e sigurisë midis atyre që janë shënjestrat e mundshme.
Dronët e armatosur e çojnë edhe më tej këtë ide. Avionët pa pilot janë dukshëm më pak të kushtueshme sesa avionët e pilotuar, dhe ushtarakët mund t’i dërgojnë ato në misione të rrezikshme pa pasur frikë se mos humbin personelin ushtarak.
Për më tepër, për shkak se dronët janë të lirë, vendet mund t’i përdorin në sasi të madhe për
të neutralizuar me shpejtësi sistemin mbrojtjes të një kundërshtari. Ushtritë kanë përdorur tashmë dhjetëra dronë në luftërat e fundit, dhe në konfliktet e ardhshme ata ka të ngjarë të përdorin mijëra në mos dhjetëra mijëra dronë për të shkatërruar apo degraduar forcat kundërshtare para se ato të mund të realizojnë një përgjigje.
Edhe nëse secili dron është individualisht i prekshëm, përdorimi i tyre në masë ofron siguri. Efekti përbashkët i tyre mund të vendosë në vështirësi edhe sistemet mbrojtëse më të forta. Të dhënat e para nga konfliktet e fundit, sugjerojnë se dronët e armatosur mund të jenë më të qëndrueshëm sesa supozohej në fillim.
Sistemet e sofistikuara të mbrojtjes ajrore ruse, si S-300, dhe ato me rreze të shkurtër Pantsir, u treguan çuditërisht të brishta në Libi, Nagorno-Karabak dhe Siri. Në seicilin rast, dronët ushtarakë ishin në gjendje që t’i shpëtonin zbulimit, dhe të shfrytëzonin boshllëqet e mbulimit të sistemeve të vjetra të montuara tek avionë më të mëdhenj të pilotuar nga njerëzit.
Kështu dronët shkatërruan disa Pantsir-ë rusë në Libi dhe Siri, dhe dërrmuan sistemet e vjetra të mbrojtjes ajrore në Armeni. Për shtetet që kërkojnë t’i japin fund ngërçeve të gjata politike gjeopolitike, përdorimi i dronëve relativisht të lirë, të disponueshëm, dhe të armatosur ofron një mundësi joshëse. Mjete të tilla mund t’i ndihmojnë shtetet të pushtojnë shpejt një territor të caktuar, të vendosin shpejt në vështirësi kundërshtarët e tyre, dhe t’i kërcënojnë ata me ndëshkime më të mëdha në të ardhmen.
Dronët janë bërë gjithnjë e më tërheqës pasi kanë arritur t`a kthejnë fatin e luftërave. Turqia i ka përdorur me shumë efektivitet dromët e saj. Një sulm ajror sirian vrau 36 ushtarë turq pranë provincës së Idlibit shkurtin e kaluar, ndërsa Ankaraja u kundërpërgjigj duke përdorur dronët TB2 për të shkatërruar dhjetëra tanke, sisteme kundër-ajrore dhe mjete të blinduara, duke vrarë qindra, dhe ndoshta mijëra ushtarë sirianë.
Në emër të Asadit, Rusia kërkoi një armëpushim. Dronët TB2 ishin gjithashtu vendimtare në çarjen e një rrethimi ushtarak në Libi gjatë Operacionit Stuhia e Paqes. Pesha e kombinuar e dronëve TB2 dhe forcave tokësore arriti të dëbojë forcat e Ushtrisë Kombëtare Libiane nga Tripoli dhe bastioni i tyre në Tarhuna.
Megjithatë, dronët e armatosur nuk kanë funksionuar vetë. Sistemet pa pilot janë më efektive kur punojnë bashkë me mjete tradicionale ushtarake si artileria dhe raketat me distancë të gjatë, apo në mbështetje të njësive të lëvizshme tokësore.
Për shembull, Azerbajxhan i përdori dronët e tij për të identifikuar pozicionet mbrojtëse armene, dhe për të drejtuar më pas goditjet mbi artilerinë dhe raketahedhësit. Tani dronët mund të zëvendësojnë fuqinë ajrore tradicionale, dhe t’i bëjnë më vdekjeprurëse këto dhe platformat e tjera.
Vetë prania e tyre në fushën e betejës, po ndryshon llogaritjen e objektivave të tyre në gati në çdo nivel të vendimmarrjes. Ushtarakët që e dinë se kundërshtarët e tyre po përdorin dronë janë të detyruar të ndryshojnë sjelljen e tyre, për t’iu kundërvënë një kërcënimi ajror.
Por nga ana tjetër, dronët nuk janë të pamposhtshëm. Në fakt, ato janë pajisje me shumë kufizime, duke qenë të prirura për defekte sidomos në mot të keq. Të afta për të mbajtur vetëm ngarkesa modeste, dronët si TB2 përshkojnë distanca të shkurtra prej vetëm 150 km nga stacionet e kontrollit në tokë.
Pavarësisht suksesit të tij, Azerbajxhani humbi disa TB2 për shkakt të zjarrit të artilerisë armene, ashtu siç ka humbur disa të tillë edhe Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në Libi. Analistët duhet t’i rezistojnë tundimit për të zmadhuar efektet e dronëve ushtarakë:këto mjete nuk shkaktojnë konflikte, ato më shumë i mundësojnë atë.
Por ata nuk duhet të neglizhojnë potencialin destabilizues të dronëve. Avionët e thjeshtë pa pilot i kanë ndihmuar shtetet të ndryshojnë statuskuonë e një konflikti. Dronët e armatosur të së ardhmes, të nxitur nga risitë e shpejta në sektorin tregtar, ka të ngjarë të jenë edhe më efektivë.
Ndërkohë që tani disa vende po investojnë mbi sistemet kundër-ajrore që i kundërvihen dronëve. Por këto teknologji janë në fillimet e tyre. Nga10 vendet që parashikohet të pajisen me dronë të armatosur, 9 kanë mosmarrëveshje të vjetra territoriale apo luftëra të brendshme. Sistemi ndërkombëtar mund të përballet së shpejti me një raund të ri konfliktesh të nxitura nga përhapja e dronëve ushtarakë.
Shënim:Jason Lyall, është i drejtues i Studimeve Transnacionale në Kolegjin Dartmauth, dhe autor i librit “Ushtritë e ndara:Pabarazia dhe performanca në fushëbetejë gjatë luftës moderne”. / Perktheu Alket Goce-abcnews.al