Nga Dominique Moisi “Worldcrunch”
Pikërisht 10 vjet më parë, më 17 dhjetor 2010, një shitës tunizian i frutave dhe perimeve,
u ndje aq fyer dhe poshtëruar nga zyrtarët lokalë sa që i vuri flakën vetes. Akti fatal i dëshpërimit dhe revoltës së Mohamed Bouazizi do të shënonte fillimin e një vale kryengritjesh në botën arabe, që u përhapën nga Tunizia në Egjipt, dhe më pas në Libi dhe Siri.
Po çfarë mbetet një dekadë më vonë nga kjo flakë e madhe shprese? Sigurisht që u fik shumë shpejt – me përjashtimin e dukshëm të Tunizisë – nga një valë shtypje, ndonjëherë tepër e egër si në Siri. Po si kaluam nga Pranvera Arabe në Dimrin Islamik?
Dhe më pas në thellimin e dialektikës diabolike midis autoritarizmit dhe korrupsionit?
Duket sikur dyert e demokracisë, që mezi u hapën, u mbyllën me shpejtësi nga ato të kleptokracisë. A ishte ajo shpresë e pabazë, dhe asgjë më shumë sesa një produkt i një
leximi tepër perëndimor të një kulture që nuk e kuptonim, e imazheve që nuk dinim t’i interpretonim?
Sigurisht që është më e lehtë të shkatërrosh sesa të rindërtosh. Të rinjtë e Sheshit Tahrir në Kajro,ishin në gjendje t`a rrëzonin nga pushteti presidentin Hosni Mubarak. Por ata nuk qenë në gjendje të krijonin një Egjipt demokratik, të fortë dhe të qëndrueshëm.
Ata mbetën të bllokuar midis një aparati sigurie – të ndërvarur për ruajtjen e mirëqenien së tij nga qenia në pushtet – dhe Vëllazërisë Myslimane, të cilët së shpejti do të dëshmonin përzierjen e tyre të paaftësisë dhe intolerancës.
Me kalimin e kohës, Pranvera Arabe,nxorri në pah kufizimet e rrezikshme të Islamit politik, por nga ana tjetër ajo nuk e forcoi shoqërinë civile dhe as kauzën e demokracisë. Lidhja e drejtpërdrejtë, thuajse matematikore midis shkallës së borxhit në Egjipt dhe pasurisë së “gjeneralëve egjiptianë”, u forcua në një kohë kur zërat që mbetën pro lirisë po ngatërroheshin.
A ishte shprehja “Pranvera Arabe” – një referencë ndaj revolucionit të vitit 1848 të njohur si “Pranvera e Popujve” – një iluzion që nga fillimi? Apo është ende herët për të gjykuar nëse ishte vërtet ashtu apo jo?Nëse krahasimi midis asaj Pranvere Revolucionare Evropiane të viteve 1848-1849 dhe Pranverës Arabe të viteve 2010-2011 do të mbetet legjitim, kjo
nuk ndodh për shkak të dështimeve të tyre përkatëse në Evropë.
Nuk ishte Parlamenti i Frankfurtit, ai që bashkoi Gjermaninë, por Prusia e Bismarkut. Dhe
në Francë ishte Napoleon Bonaparti, ai që ishte në gjendje të përfitonte nga trazirat revolucionare. Në zemrën tradicionale të botës arabe, në Egjipt, pas përvojës së Vëllazërisë Myslimane në pushtet, ushtria rimori kontrollin e vendit, madje edhe më brutalisht sesa
në kohën e Mubarak.
Abdel Fattah Al-Sisi, e di se mund të mbështet në përzierjen e frikës nga islami radikal dhe orekset mercenare të shumë vendeve perëndimore, për të lidhur miqësi që etika duhet në fakt t’i dënojë, por që politika i inkurajon. Bota perëndimore ka dhënë për dekada shembuj mbresëlënës të kontradiktave të saj etike, në marrëdhëniet e saj me Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
“Në vend se të jemi përzgjedhës dhe hipokritisht të moralshëm, ne gjithashtu mund të jemi universalisht cinikë dhe të pa ndërlikuar”- thonë ithtarët e kësaj realpolitike. “Politika ndërkombëtare nuk është për shpirtrat e dobët:mendjet e ndjeshme, duhet të abstenojnë ndaj saj”.
Shpresa origjinale dhe e sinqertë, e ndarë nga shumë analistëdhe pjesëmarrës -dhe ata që nuk dhanë dorëheqjen për të mos e parë shumicën e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikën e Veriut të dënuar në përjetësi nga stigma, korrupsioni dhe dhuna – duket se është flakur tej nga provat që dha koha.
Por historia nuk mund të mbështesë ata që pretendojnë se është e rrezikshme të besohet
se ideja e përparimit mund të zbatohet në këtë pjesë të botës. Nga Kajro në Algjer, edhe thjesht dorëheqja nga fakti se mbretëria e “kleptokracisë” shtrihet dhe konsolidohet në emër të luftës kundër Islamizmit, nuk është vetëm një shenjë e një dobësie së tepruar, por një rrezik i papërgjegjshëm në planin afatgjatë.
Vendet perëndimore kanë “leva” më të forta në dispozicion nga sa mund t`a mendojnë.
Nuk është çështja nëse do të pranohet apo jo Al-Sisi në Paris, siç bëri presidenti francez Emmanuel Macron kohët e fundit.
Ne nuk mund ta pranojmë në mënyrë pasive argumentin e sovranitetit nga regjimet që na thonë – duke luajtur me referencat historike – se “ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në punët e tyre”. “Punët”e tyre janë për vendet evropiane shumë të afërta gjeografikisht.
Që të bindeni për këtë, mjafton të shihni filmin dokumentar egjiptiano-skandinav “Confidential Cairo”, një denoncim i korrupsionit në Egjipt, në prag të kryengritjes së janarit 2011. Nëse shoqëria civile nuk mund të shprehet më e lirë në një shoqëri të infektuar nga korrupsioni, dhe nëse organizatat e të drejtave të njeriut trajtohen si organizata terroriste, atëherë nuk ka më asnjë ndërmjetës midis forcave të sigurisë dhe islamizmit radikal.
Dhe kjo gjë përbën një rrezik të qartë si për rajonin ashtu edhe për ata që janë afër tij, sikurse jemi ne evropianët.
Cinizmi dhe pasiviteti janë joproduktivë. Ato përbëjnë një formë të thënies “Pas meje, qameti”, që është e dënueshme në të gjitha nivelet:politike, të sigurisë dhe etikës. Megjithatë, bota perëndimore mund të bëjë ende diferencën në rajon.
Shtetet e Bashkuara, edhe pse janë tërhequr nga ky rajon gjatë 12 viteve të fundit, mund të bëjnë sërish diferencën; jo duke dërguar më shumë ushtarë, por duke vendosur kushte shumë më të rrepta për shpërndarjen e ndihmës së saj. Edhe Evropa, nëse mund të bjerë dakord mbi një politikë, mund të bëjë të njëjtën gjë. Jo, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut nuk duhet të dënohen në një “dimër” të përjetshëm. / Perktheu Alket Goce-abcnews.al