Është e tepërt t’i kërkosh pak objektivitet nostalgjikëve?

schedule16:23 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 16:23 - 16 Dhjetor, 2020

nga Alba Bajraktari

Si rrallë herë jemi bërë bashkë. Revolta në mos e pashprehur, ajo e brendshmja ka bashkuar. Por, ka disa që janë kapur fort tek e shkuara. Kjo është e kuptueshme, sepse ndodh rëndom.

Më kujtohet një moment në Moskë. Po vizitonim qytetin dhe kishim guidë një vajzë të re, të mirë-informuar nënshtetase ruse e diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte interesante sepse ajo mbartte disa vizione të Rusisë, një të jetuar, një të lexuar dhe një të analizuar nga larg. Gjehen jo pak ngjashmëri në mënyrën e të jetuarit, menduarit dhe funksionuarit me shqiptarët në kuadrin e përjetimit të regjimit komunist. Për shembull, kur ajo më tërheq vemendjen duke thënë « shiko pozicionimin e Kremlinit, djepi i komunizmit sovietik ndan vendodhjen e vet me qendrat më të frekuentuara tregtare në Moskë, pra me shtratin e kapitalizmit ». Ne kemi zonën e « bllokut » i thashë duke vijuar me shpjegimin.

Ajo tregon një episod, thotë « ndodhesha pikërisht këtu kur shpjegoja disa anekdota e absurditete të kohës mbi Stalinin. Një kalimtar më kthehet ashpër, e nuk la epitet pa më ofenduar. Dikur ne kishim një parim : Nuk flitet për politikë në Rusi. Ai vazhdon edhe sot. Mirë është të mos flasësh për politikë me zë të lartë. E sidomos, mos kritikosh Bashkimin Sovietik dhe kultet e ndërtuara ».

Këtu shfaqet ndryshimi i madh me Shqipërinë. Ne flasim kryesisht për politikë. Por, një linjë mbetet e njejtë, ne kemi nostalgjikët tanë të atij regjimi. Nuk dua t’i gjykoj se fundja ka pasur të përkëdhelur, ashtu si ka pasur të indoktrinuar. Përjetimet janë individuale. Unë do ta romantizoj duke e shpjeguar me këtë analogji : Bernhard Shlink, në librin e vet « Leximtari » tregon historinë e dashurisë së Mikaelit me Hana Schmitz, ai më vonë kupton, kur rastësisht asiston në kuadrin e studimeve të tij, në gjyqin që i bëhej krimeve të nazistëve, se Hanna kishte qenë gardiane e angazhuar për forcat SS në kampin e Auschwitz. Por, a ndryshon kjo diçka në dashurinë që kishte përjetuar Mikael ? Në thelb jo.

Kështu është edhe lidhja e fortë midis nostalgjikëve të regjimit komunist me këtë të fundit. Sigurisht një analogji e zbutur dhe e romantizuar. Por, pa dashur ta prekim këtë ndjenjë të fortë, mbase mund tu kërkojmë pak objektivitet atyre.

Kam njohur objektivë ndër ta, njerëz me forcë reflektimi që arrijnë të distancohen e të kuptojnë çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodh, pavarësisht përjetimeve personale. Nostalgjikët që e gjejnë veten sot tek e majta, e përfaqësuar nga Partia Socialiste duhet të bëjnë një përpjekje për të kuptuar situatën ku ndodhemi. Ka një zemërim popullor, një zemërim që duhet kultivuar pasi do të jetë themeli i frikës së atyre që do të duan të shkelin ata që i kanë zgjedhur.

Debati i majtë apo i djathtë duhet të pozicionohet vetëm në atë se cila formë është e duhura për zhvillim. Kur kjo tejkalohet reagimi duhet të jetë i përbashkët. Mbase s’është vonë për ta tejkaluar indoktrinimin, me shpresën se do të reflektohet dhe nuk do të mbrohet më një forcë politike me verbëri e fantizëm, ndryshe po rrotullohemi në të njejtin batak.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!