U gjobit se punësoi shumë gra, rebelohet kryebashkiakja e Parisit

schedule15:11 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 15:11 - 16 Dhjetor, 2020

Çështja e barazisë gjinore është kthyer në një Bumerang  kundër kryebashkiakes socialiste të Parisit. Anne Hidalgo është dënuar me një gjobë prej rreth 90 mijë eurosh pasi ka emëruar shumë drejtuese femra në administratën e qytetit.

Një goditje për kryebashkiaken e cila gjithnjë ka luftuar për të drejtat e grave dhe integrimin e tyre në politikë dhe administratë. Për këtë arsye ajo është rebeluar dhe e ka cilësuar vendimin si të paarsyeshëm.

Ministria e funksionit publik deklaroi se bashkia e Parisit në vitin 2018 ka shkelur rregullat kombëtare për barazinë gjinore, pasi 11 gra mbanin postet drejtuese në krahasim me vetëm pesë burra.

Hidalgo, kryebashkiake e kryeqytetit francez që nga viti 2014, e para grua që mban këtë post, e cilësoi “absurd, të padrejtë, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm” vendimin. Duke folur në asamblenë e qytetit ajo u shpreh e lumtur se ishte gjobit duke theksuar se duhen promovuar gratë, me këmbëngulje dhe forcë madje, sepse në Francë është ende shumë vonë për përmirësime në këtë aspekt. Për të arritur barazinë një ditë, sipas saj duhen përshpejtuar ritmet dhe duhen emëruar më shumë gra se sa burra.

Sipas të përditshmes franceze Le Mond, administrata pariziene ka shkelur një normë të vitit 2013 që vendos se një gjini e vetme nuk mund të ketë më shumë se 60 për qind të posteve drejtuese.

Hidalgo ironizoi duke thënë se e bukura e burokracisë është se nuk njeh absolutisht aftësitë dalluese dhe për këtë arsye guxon për çdo gjë. Ajo shtoi se do e dorëzonte pagesën e gjobës prej 90 mijë euro së bashku me deputetët e saj, administratorët dhe të gjitha gratë e sekretarisë së përgjithshme. Ajo tha se do i propozonte të kontribuonte për gjobën të gjithë kryetarëve të grupeve parlamentare, opozitë dhe mazhorancë nëse do të duan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!