Gjashtë javë pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA, kreu i shumicës republikane në senatin amerikan, Mitch McConnell e pranoi të martën se demokrati Joe Biden është presidenti i zgjedhur i vendit.
Senatori McConnell përgëzoi zotin Biden ndërsa Presidenti Donald Trump vazhdoi pretendimet e tij të pabazuara se mashtrimet me votimet e privuan atë nga rizgjedhja.
Zoti McConnell, i cili nuk e kishte pranuar deri tani se zoti Biden kishte fituar, tha në një fjalim në Senat se Kolegji Zgjedhor konfirmoi të hënën fitoren e presidentit të zgjedhur me 306 vota elektorale, kundrejt 232 për Presidentin Trump.
“Që nga ky mëngjes, vendi ynë ka zyrtarisht një president të zgjedhur dhe një nënpresidente të zgjedhur,” tha McConnell.
“Miliona prej nesh kishin shpresuar që zgjedhjet presidenciale do të jepnin një rezultat tjetër. Por sistemi ynë i qeverisjes ka procese për të përcaktuar se kush do të bëjë betimin më 20 Janar. Kolegji Zgjedhor e tha fjalën e tij.”
“Kështu që sot dua të përgëzoj Presidentin e zgjedhur Joe Biden,” tha senatori McConnell.
“Presidenti i zgjedhur nuk është një emër i panjohur për Senatin. Ai i është përkushtuar shërbimit publik prej shumë vitesh. Dua gjithashtu të përgëzoj nënpresidenten e zgjedhur, kolegen tonë nga Kalifornia, Sen. (Kamala) Harris. Të gjithë amerikanët kanë të drejtë të krenohen se vendi ynë ka për herë të pare një nënpresidente të zgjedhur”.
Presidenti Trump nuk reagoi menjëherë pasi senatori McConnell pranoi se zoti Biden do të jetë presidenti i 46-të i vendit.
Por ai shkruante në Twitter: “Prova të forta të shumta për mashtrime me votat. Nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë në vendin tonë!”
Twitter e shoqëroi postimin e zotit Trump, me shënimin “Ky pretendim në lidhje me mashtrimet zgjedhore është i pasaktë.”
Më pas, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany iu shmang pyetjeve në lidhje me deklaratën e zotit McConnell. Ajo tha se Presidenti Trump “po vazhdonte me proceset gjyqësore” mbi rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse ai dhe aleatët e tij kanë humbur më shumë se 50 procese gjyqësore që pretendojnë parregullsi me votimet dhe me numërimin e votave. Zoti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ndaj zotit Biden.
Pasi foli Senatori McConnell, presidenti i zgjedhur Biden tha se e kishte telefonuar atë dhe se kishin pasur “një bisedë pozitive. E telefonova për ta falënderuar për urimet.”
Zoti Biden tha se ai dhe McConnell nuk bien dakord për shumë çështje, por shtoi se është optimist se do të jenë në gjendje të punojnë së bashku.
“Kemi qenë gjithmonë të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin,” tha zoti Biden, i cili ka punuar me senatorin McConnell për tre dekada, kur ishte nënpresident i ish-Presidentit Barack Obama dhe si senator. “Ramë dakord që të takohemi së shpejti. Pres të bashkëpunoj me të.”
Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve do të rishikojnë dhe certifikojnë rezultatin e Kolegjit Zgjedhor në 6 Janar. Zoti Trump po kapet pas një fije shprese për të mbajtur presidencën, duke shprehur mbështetjen në Twitter për një protestë të udhëhequr nga kongresmeni i Alabamës Mo Brooks, që po konteston fitoret e zotit Biden në pesë shtete.
Por zotit Brooks i duhet që një senator t’i bashkohet protestës së tij dhe deri tani, asnjë senator nuk ka rënë dakord të nënshkruajë pretendimin e tij se Trump ishte fituesi.
Që nga zgjedhjet e 3 nëntorit, vetëm një grup i vogël ligjvënësish republikanë ka pranuar fitoren e zotit Biden. Shumë republikanë ose nuk janë shprehur ose kanë shprehur mbështetje për përpjekjet jorealiste të zotit Trump për të përmbysur fitoren e zotit Biden.
Por pas rezultatit të Kolegjit Zgjedhor, disa republikanë të tjerë me peshë në Uashington pranuan të hënën se zoti Biden kishte fituar presidencën.
Kolegji Zgjedhor është ai që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA jo vota popullore, megjithëse zoti Biden kryeson edhe në atë kategori, me më shumë se 7 milionë vota.
Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, në një fjalim drejtuar vendit, zoti Biden tha se “Nëse dikush nuk e dinte më parë, tani e dimë. Ajo që rreh thellë në zemrat e popullit amerikan është demokracia… Është e drejta për t’u dëgjuar. Që vota juaj të numërohet. Që ju të zgjidhni udhëheqësit e këtij vendi. Që të qeverisni veten”.
Por zoti Biden sulmoi gjithashtu përpjekjet e zotit Trump pas zgjedhjeve për të delegjitimuar procesin, duke thënë se “as një abuzim me pushtetin” dhe as një “sulm i pashembullt ndaj demokracisë sonë”, nuk mund ta pengojnë një tranzicion politik paqësor të udhëheqjes amerikane.VOA