Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka deklaruar se partia që ajo drejton nuk është parti familjare duke shpjeguar pse doli në garë e vetme në zgjedhjet brenda partisë. “Duhet të jetë një sistem që duhet të ngrihet në bazë të meritokracisë. LSI nuk është parti familjare. Më mirë të kisha një palaço në garë që të bënte sikur kandidonte me mua. Pse duhet të bëja unë sikur isha në garë”, tha Kryeamadhi në “Log.” në ABC.
Ajo foli edhe për marrëdhëniet me kryedemokratin Lulzim Basha duke theksuar marrëveshjen e nënshkruar nga opozita vitin e kaluar. “Kemi marrëdhënie korrekte. Me Bashën kemi një marrëveshje të nënshkruar me partitë opozitare. Ajo që unë them se 26 prilli do çlirojë një energji tjetër. Nuk ka të bëjë me Edi Ramën por me sistemin. Nuk ka se si të ketë koalicion PS-LSI kur të gjitha partitë e tjera janë në anën tjetër”, deklaroi ajo.
Kryemadhi tha se ende nuk e ka vendosur nëse do të kandidojë vetëm në një apo më shumë se në një qark por hodhi poshtë zërat se kjo është një shenjë pasigurie.
“Edhe mund ta përdor të drejtën për të kandiduar në më shumë se një qark. Nuk e kam vendosur akoma. Nuk jam fare e pasigurt. Po të isha shenjë pasigurie, rrija e para në Tiranë. Pse të mos shkoj në zonat më të varfra. Ndaj Elbasanit kam një detyrim. Por ende nuk e di. Fushata janë të rinjtë dhe të rejat që duan të qëndrojnë në Shqipëri, nuk duan të ikin nga Shqipëria”, u shpreh Kryemadhi./mv.abcnews.al