Ish -Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dekoruar me Medaljen e Trimërisë dy oficerët e Antiterrorit, Drejtorin Gledis Nano dhe oficerin Indrit Doda, për kontributin në shpëtimin e jetës së disa fëmijëve që u evakuuan nga kampet në Siri.
Në Ministrinë e Brendshme u organizua një ceremoni për dorëzimin e Medaljeve, ku morën pjesë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.
Fjala e ish-ministrit Lleshaj:
Para një viti ose më shumë se një viti, kur në Shqipëri dhe në Itali ziente opinioni publik lidhur me fatin e një djali shqiptar që ishte pothuajse peng në kampin Al Hol në Siri, Alvin Berishën, thirra Drejtorin e Antiterrorit Gledis Nanon në zyrë dhe e pyeta në mënyrë të shkurtër, të drejtpërdrejtë: “Çfarë do të kishe bërë ti Gledis nëse në Al Hol do të ishte djali yt?” Dhe Gledisi mu përgjigj pa u menduar asnjë sekondë: “Do të isha nisur për atje, do të isha nisur për në Al Hol”.
Atëherë i thashë: “Dakord, dhe konsideroje atë djalin si djalin tênd dhe bëhu gati për të shkuar atje në kohën më të parë të mundshme”. Kështu ndodhi. Ai filloi të përgatitej për të shkuar në Al Hol. Rrethanat e sollën, që pas disa kohësh u mundësua vajtja jo në Al Hol, por në Liban, ku vendosa të shkoj edhe vetë, kryesisht në shenjë respekti të gatishmërisë të këtij oficeri policie, i cili mu përgjigj pa hezitim. Por edhe për të parë mundësitë e vijimit të këtij operacioni. Jeni në dijeni që operacioni atëherë përfundoi me sukses, Alvin Berisha u kthye në shtëpi.
Që nga nëntori i vitit të shkuar e deri në nëntor të këtij viti, vazhdoi përpjekja për të tërhequr nga kampi Al Hol edhe fëmijë të tjerë dhe kampe të tjera në Siri. Ju e dini që në nëntor të këtij viti u realizua edhe tërheqja e një grupi tjetër fëmijësh, ndërkohë që ende ky operacion vazhdon, me shpresën që të gjithë ata fëmijë, viktima të papërgjegjshmërisë së prindërve, familjarëve të tyre, të lidhur me rrjetet e terrorit ndërkombëtar, të mund të kthehen në shtëpi, të largohen nga ferri i kampeve të Sirisë; të mund të afrohen pranë familjeve të tyre, të afrohen tek jeta normale, sociale, familjare, të edukohen, të shkollohen dhe të mos rriten si fëmijë të terrorit, por si fëmijë të Shqipërisë.
Çdo fëmijë i kthyer nga kampet e Sirisë në Shqipëri është një shqiptar më shumë dhe një terrorist më pak. Ndaj në vlerësim të të gjithë kësaj përpjekjeje, këtij kontributi, kam vendosur edhe si akt të fundit në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, të firmos dy urdhra për akordim medaljesh, për Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit Gledis Nano dhe bashkëpunëtorin e tij, Indrit Doda, dy oficerë, të cilët, siç e keni parë edhe ndjekur të gjithë, kanë qëndruar pas këtij operacioni, kanë mbajtur barrë, kanë rrezikuar bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc I. Ghorayeb dhe me shumë bashkëpunëtorë të tjerë ndërkombëtarë; kanë punuar, kontribuar kanë rrezikuar realisht, në emër të shpëtimit të jetës së disa fëmijëve që janë evakuuar dhe të tjerëve që do të evakuohen, shpresojmë, sa më shpejt.
Përmes këtij akti, unë dua të falënderoj për kontributin e dy oficerëve të Policisë Shqiptare, ashtu sikundër pas të cilëve është e gjithë Policia Shqiptare, e cila është një Polici që ka kryer e vazhdon të kryejë me përgjegjësi detyrat e saj ndaj qytetarëve, ndaj sigurisë publike, ndaj rendit publik.
Policia në tërësi, Drejtoria e Antiterrorit duhet që ta vazhdojnë operacionin për tërheqjen e fëmijëve të tjerë. Siç thashë, çdo fëmijë i kthyer në Shqipëri është një shqiptar më shumë, ndoshta jo thjeshtë një shqiptar më shumë, por ndoshta një gjeneracion i tërë që vjen pas tij, më shumë, edhe një terrorist më pak, apo shumë terroristë më pak.
E di që operacioni është në zhvillim e sipër, e di që puna ka ecur mjaft mirë dhe jam shumë optimist.
/abcnews.al/