Gjashtë efektivë policie të qarkut të Vlorës akuzohen për shpërdorim detyre në dosjen e trafikut të drogës. Akuza është ngritur nga prokuroria pas hetimeve disa mujore që u finalizua ditën e sotme me prangosjen e 27 personave, ndërsa 4 janë në kërkim nga 41 të përfshirë në total, teksa të tjerët janë në hetim në gjendje të lirë.
Por cilët janë efektivët e akuzuar për shpërdorim detyre? “ABC” mëson se të akuzuar janë gjashtë policë, një është arrestuar, një është në kërkim dhe katër po hetohen në gjendje të lirë. I arrestuar është efektivi David Faka, në kërkim është një inspektor në Kuç, Isa J. ndërsa katër të tjerët, mes të cilëve Arjan Tase, ish-shef komisariati, aktualisht inspektor i thjeshtë, po hetohen në gjendje të lirë.
Në fakt prokuroria kërkoi arrest me burg për të gjithë zyrtarët e policisë që i akuzon si për shpërdorim detyre, por gjykata miratoi dërgimin në qeli vetëm të dy prej tyreve. Gjithashtu në këtë dosje janë ngritur akuza edhe për inspektorë të pyjeve dhe kullotave në fshatrat Vranisht dhe Tërbaç, Himarë, por edhe kryetarëve të fshatrave Kuç.
Zyrtarët e akuzuar nga prokuroria si të përfshirë
David Faka-polic i përgjithshëm në burg
Isa J.-punonjës policie, inspektor në Kuç në kërkim
Artur Veshaj-ish-shef krimesh Himarë, aktualisht inspektor
Arjan Tase-ish-shef komisariati Himarë, aktualisht inspektor
Ilir Kadena-inspektor krimesh
Alem Llanaj-polic në Himarë
Policia e shtetit deklaron se gjatë periudhës hetimore gjashtëmujore janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike canabis sativa, në territoret e Bashkive Selenicë dhe Himarë, janë sekuestruar 120.9 kg lëndë e dyshuar narkotike, janë sekuestruar 4 armë gjahu, dylbi, një pistoletë sportive, 39 telefona celular etj./ db/Abcnews.al