Prej pesë ditësh vendi është përfshirë në protesta pas vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj.
Qytete të ndryshme i janë bashkuar protestës, ku në disa prej tyre janë mbajtur homazhe duke kërkuar “Drejtësi për Klodianin”.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama, njoftoi për mediat largimin e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.
Por protestat kanë vijuar dhe janë pasuar më shoqërime të protestuesve në polici, në mesin e tyre edhe shumë të mitur.
Në “Abc-ja e mëngjesit” u diskutua vijimësia e protestës qëndrimet si edhe reagimi i policisë ndaj protestuesve.
Pjesë e këtij diskutimi, ishin deputetja e PS Milva Ekonomi, gazetari Koloreto Cukali, avokati Adriatik Lapaj si edhe sipërmarrësi Arbër Çepani, të cilët ndanë qëndrime ndryshe për mënyrën se si u trajtuan protestuesit nga policia.
Deputetja Milva Ikonomi, u shpreh se situata në polici është si asnjëherë më parë, ndërsa shtoi se në protestë nuk kishte dhunë nga të dyja palët, pasi sipas saj pati më shumë efektiv të plagosur.
“Kemi një proces gjyqësor që ka nisur për policin. Nuk mund të ketë ndryshime të tjera sa kohë ne besojmë që procesi i “Vettingut” është i suksesshëm. Situata në polici është si kurrë më parë. Nuk jam dakord se kishte dhunë nga dy palët. U pa që pati shumë policë të dëmtuar, ndërsa pala tjetër pati vetëm një rast të një djali të lënduar. Po ashtu edhe gazetarët bëjnë atë që nuk duhet të bëjnë, nuk shkohet në protestë pa mjet identifikimi”, tha ajo.
Ndërsa gazetari Koloreto Cukali ndau mendim të kundërt me deputeten duke u shprehur se nga policia ka terror në rrugët e Tiranës.
Milva Ekonomi: Nuk e di ku e parë Koloreto terror!
Cukali: Ju e shihni nga televizioni, unë e shoh në rrugë.
Ekonomi: Atje janë 12-vjeçarë.
Ndërsa gazetari Enkel Demi, teksa tregoi momente të pjesëmarrjes së tij në protestë, tha se kishte pjesëmarrës nga më të ndryshmit, duke shtuar se shumica ishin të rinj.
“Isha pjesëmarrës dhe në një moment na u sul policia në një mënyrë të tmerrshme. Unë jam dëshmitar! Nuk e kuptoj përse na u sul”, u shpreh ai.
Avokati, Adriatik Lapaj tha se gjatë protestave janë parë djem të rinj të tërhiqen zvarrë duke u futur në fugona policie.
“Kemi parë që kapen djem të rinj, merren zvarrë dhe futen si sardele në makina. Rinia çohet dhe kërkon të drejta pasi kjo nuk është vetëm një protestë për jetën. Pamë që kur u protestua për Teatrin me qetësi këta e prishën më dhunë në mes të natës, dhe tani mesazhi është i qartë, se nëse proteston si qytetar këputesh nga druri”, tha më tej Lapaj.
Enkel Demi: Po zbulojmë një pjesë të shoqërisë, adoleshentët që mblidhen në mënyrë të çuditshme, pavarësisht se ju e faturoni si politike. Këta me rezultojnë që mblidhen nga rrjetet sociale.
Ekonomi: Në Shkodër e pamë çfarë bënë, në rrjete sociale e pamë se kush i nxit. Nuk është se ne ja faturojmë, po rrjetet sociale thonë që paguhen. Dje në Tiranë kishim një protestë pa leje. Nuk ka rëndësi të flasim sa shumë apo pak ishin, por ne duhet të shohim fenomenin. Mosha është një nga gjërat që reflektoi edhe ministrja e Arsimit Evi Kushi, për të cilat tha se këta fëmijë duhet të identifikohen, dhe të ndiqen me psikologë. Dhe duke qenë se i riu është përdorur nga forca politike, është diçka që ne të mëdhenjtë duhet t’i thërrasin mendjes”.
Sakaq sipërmarrësi Arbër Çepani, gjatë bisedës në studio u shpreh se e gjithë kjo që ka ndodhur sipas tij është produkt i gjithë sjelljeve të akumuluara ndër vite.
“Shumë nga këta të rinj jetojnë në një botë që nuk është e njëjtë me atë të cilët jemi rritur ne. Ne me demek që jemi intelektuale, nuk bëmë asgjë të mirë. Kush arriti kapi një copë e kapi. Dikush bëri diçka tjetër. Ndërsa këta të rinj nuk kanë asgjë për të humbur”, tha ai.
Sakaq deputetja e PS, e pyetur nga gazetari Enkel Demi nëse është kandidate për Ministër të Brendshëm, u shpreh se kjo vendoset nga kryeministri, duke shtuar se është diçka që nuk e ka menduar.
Enkel Demi: Je kandidate për ministër të Brendshëm?
Ekonomi: Askush nuk e vendos vetë, e vendos kryeministri , por nuk unë nuk e mendoj.
/abcnews.al/