Vrasja e 25-vjeçarit nga policia, Lleshaj: E vërteta, ngushëllim i madh! E ndjej humbjen e prindërve

schedule11:56 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 11:56 - 9 Dhjetor, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë mesnatën e të hënës. Lleshaj shpreh besimin e plotë se organet ligjore përkatëse do të finalizojnë jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e të riut. Ai thotë se ka shumë arsye se përse ndjen fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij.

“E vërteta është ngushëllimi më i madh. Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike. Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.

Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët. Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë”, shkruan Lleshaj./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!