E ndërsa klienti i tij është në kërkim, avokati i Lulzim Berishës, Detar Hysi u shpreh në një prononcim për gazetaren e “ABC”-së Glidona Daci se janë përpara një dyshimi të pa mbështetur në prova dhe fakte.
“Për gjithçka do të ndjekim rrugët ligjore, pasi jemi përpara një dyshimi të pa mbështetur në prova dhe në fakte” tha avokati i Lulzim Berishës, Detar Hysi.
Pas 15 vitesh SPAK zbardhi vrasjen e biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj. Ai u ekzekutua me shpërthim eksplozivi në ashensor, krim i ndodhur më 27 shkurt 2005. Në këtë ngjarje vdiq dhe shoku i tij, Artan Arsi. Nëpërmjet një reagimi zyrtar SPAK njoftoi se autorët e këtij atentati janë: Emiljano Shullazi, i cili ndodhet në burg, Viktor Ymeri dhe anëtarët e tjerë të bandës së Durrësit.
Gjithashtu SPAK ka mbledhur prova dhe për atentatin ku mbeti i vdekur Klodian Saliu, krim i ndodhur më 26 shkurt 2005, në segmentin rrugor Durrës-Maminas, një ditë para se të vritej Vajdin Lamaj. SPAK akuzon për vrasjen e Klodian Saliut: Lulzim Berishën, Plarent Dervishajn, Indrit Taullaun dhe Luftar Reçin.
Prokuroria ka bashkuar këto dosje pasi të akuzuarit kanë qenë anëtar të së njëjtës bandë, asaj të Durrësit apo bashkëpunëtor të saj. Gjykata e Posaçme ka caktuar për të 6 këta persona masën e sigurisë arrest në burg. Viktor Ymeri u arrestua pasditen e së martës nga policia e Tiranës, po ashtu edhe Luftar Reçi, ndërsa Taullai u prangos të dielën në Prizren. Emiljano Shullazi ndodhet në qeli i dënuar për gjobëvënie dhe pengmarrje. Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj janë në kërkim./ db/Abcnews.al