Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Oliver Varhelyi shprehu zhgënjimin për faktin që Presidenca gjermane u mbyll pa arritur një kompromis për kornizat negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në një postim në Twitter ai shprehet se bllokimi duhet thyer dhe se kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin, por edhe BE-në.
“Të zhgënjyer që nuk mund të ecim përpara për kornizat e negociatave me Maqedoninë e Veriut & Shqipërinë, por shpresoj që në një periudhë shumë të shkurtër kohe do të jemi në gjendje. Ne kemi nevojë për të thyer bllokimin shpejt.
Kjo është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe për BE. Me metodologjinë e rishikuar dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve ne kemi një dritare unike të mundësive për të çuar rajonin përpara dhe për të dhënë rezultate të prekshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë qëllim” shkruan ai.
Kuadri negociues me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u heq nga axhenda e ambasadorëve të Bashkimit Europian për shkak të mungesës së dakordësisë së Bullgarisë për Traktatit e Miqësisë me Maqedoninë e Veriut./ db/Abcnews.al