Gjunjëzimi i Willy Brandt, fotografia që flet më shumë se fjalët

schedule14:39 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 14:39 - 7 Dhjetor, 2020

Çfarë e bëri gjestin e përulësisë së Brandtit në Varshavë kaq domethënës, si një simbol në të gjithë botën? Si një simbol i pajtimit midis Polonisë dhe Gjermanisë, fotografia mori një mirënjohje të madhe ndërkombëtare. Sidomos pasi gjunjëzimi, siç theksoi më vonë Willy Brandt, ishte spontan dhe i paplanifikuar. “Gjesti u vlerësua shumë nga shumëkush”, thotë Thomas Birkner, shkencëtar i komunikimit dhe historian në Universitetin e Münsterit, “sepse ai e tregoi atë në një vend simbolik”. Me këtë gjest, siç thotë Birkner në një intervistë për Deutsche Welle-n, imazhi i gjermanëve ka ndryshuar jashtë vendit.

Në fakt, me një gjest ai bëri një politikë globale: Më 7 dhjetor 1970, Willy Brandt shkoi tek memoriali në kryeqytetin polak për të përkujtuar kryengritjen e hebrejve në geto, në vitin 1943. Ishte kjo vizita e parë nga një kryetar i qeverisë gjermane në Poloni, pas Luftës së Dytë Botërore. Brandt vendosi një kurorë lulesh, u tërhoq disa hapa prapa dhe papritmas ra në gjunjë. Fotograftët shkrepën fotografitë, që hynë në histori. Me këtë gjest, Brandt kërkoi në emër të vendit të tij falje për krimet e kryera nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore.

Një vit më vonë, Willy Brandt mori Çmimin Nobel për Paqe. Kristina Meyer, asistente kërkimore në Fondacionin Willy Brandt, beson se gjesti i Brandtit përmirësoi imazhin e gjermanëve. “Brandt në thelb u shpreh në emër të gjermanëve të tjerë, në emër të gjermanëve të mirë e nga kjo simbolikë ky imazh u përforcua ndërkombëtarisht.”

Fuqia e fotografisë

Gjesti i përulësisë së Brandtit është shndërruar në një ikonë të komunikimit. Sipas Birknerit kjo dëshmon fuqinë e fotografisë: “Në atë kohë, Brandt u përpoq të përdorte një gjest për të shprehur atë që, të paktën asokohe, nuk mund të shprehej me fjalë”. Në “Kujtimet” e tij, të botuara në vitin 1989, Brandt e justifikoi gjestin e tij kështu: “Në humnerën e historisë gjermane dhe nën barrën e miliona njerëzve të vrarë, unë bëra atë që njerëzit bëjnë kur gjuha nuk funksionon”.

Brandt nuk është i vetmi politikan që ka folur përmes fotografive. “Kancelarët e tjerë gjermanë u përpoqën jo vetëm të ilustronin politikën me fotografi, por edhe të bënin politikë me fotografi,” thotë Birkner. Këtu bën pjesë Konrad Adenauer, kancelari i parë të Republikës Federale të Gjermanisë. Në një pritje në Petersberg në Bon nga komisionerët e fuqive fituese – SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, ishe e planifikuar që delegacioni gjerman të ndalojë para një tapeti. Por Adenauer hipi mbi tapet, e ky hap i tij donte të simbolizonte se kancelari gjerman është i barabartë me aleatët.

Ikonografia dhe domethënia

“Që nga Brandti, politikanët janë përpjekur pandërprerë të bëjnë fotografi dhe imazhe të ngjashme,” thotë Birkner, duke iu referuar Helmut Kohlit, i cili në vitin 1984 – dorë për dore me presidentin francez François Mitterand – përkujtoi viktimat e dy luftërave botërore në Verdun. Birkner rikujton edhe ish-kancelarin Gerhard Schröder, i cili u fut edhe vet nëpër Griman e përmbytur në 2002, gjatë një përmbytjeje të lumit Elbë. Schröder e vuri veten në qendër të vëmendjes si një njeri i guximshëm dhe menjëherë më pas fitoi zgjedhjet federale ndaj sfiduesit të tij Edmund Stoiber.

Por gjunjëzimi dhe përulja e Brandtit është një fotografi unike, thekson Meyer. “Fotografia jo vetëm që është bërë një ikonë, por edhe një simbol i përjetshëm i përballjes së gjermanëve me të kaluarën e tyre”, thotë historiani.

Por si krijohet një ikonë politike? Ndër përbërësit më të rëndësishëm është – përveç përmbajtjes –  edhe mesazhi i qartë, thotë Birkner. “Gjërat e tilla nuk duhet të planifikohen domosdoshmërisht deri në detajet e fundit. Por efekti i tij konsiderohet me kujdes. E ajo që sigurisht i duhet është një domethënie e fortë historike.” Pas 40 apo 50 vitesh, askush nuk do ta mbajë mend Schröderin me çizme gome nëpër ujë. “Por do ta mbajë mend gjunjëzimin e Willy Brandt.” Brikner nënvizon se imazhet e simbolikës politike mund të kuptohen lehtë edhe si politikë simbolike dhe në këtë mënyrë marrin një konotacion negativ “kur janë boshe për nga përmbajtja”.

“Vështirë se gjunjëzimi i tillë do të bënte të njëjtin efekt sot sikur në vitin 1970”, mendon eksperti i komunikimit. Përdorimi i medias ka ndryshuar shumë. “Është shumë me rëndësi që gjesti të vendoset në kontekstin historik. Sepse atje e ka vendin”, thotë historiani Meyer. Një ngjarje e ngjashme do të përhapej shumë më shpejt sot. “Por imazhi ndoshta edhe do të ishte zhdukur nga perceptimi ynë kolektiv shumë më shpejt.”DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!