Sa fitues ka një natë e vetme zgjedhore? Kur u publikuan rezultatet e para të dielën (06.12.), u deklaruan fitues të zgjedhjeve si konservatorët liberalë rumunë të PNL-it edhe socialdemokratët opozitarë të PSD-së. Në të njëjtën kohë edhe Aleanca liberale-ekologjike, USR-PLUs u gëzua për vendin e tretë, dhe u shpreh për një “rezultat historik”. ” Historike janë këto zgjedhje sidomos për atë që në 31 vjet, që nga kthesa politike e vitit 1989, asnjëherë kaq shumë rumunë nuk i ndenjën larg kutive të votimit. Kjo, megjithëse gjenerata e prindërve të mi në vitet e diktaturës si ëndërr kishte zgjedhjet e lira. Tani dy nga tre rumunë me të drejtë vote nuk votuan.
Qendra blerjesh plot, qendra zgjedhore gati bosh
Do të ishte të paktën një shpjegim qetësues, sikur fajin ta kishte vetëm virusi i Coronës. Kaq e thjeshtë nuk është. Natyrisht që njerëzit kanë frikë nga infektimi, megjithëse në qendrat e votimit janë zbatuar masat e higjienës. Këtë mund ta kuptoj mirë, sidomos në rastin e të moshuarve apo atyre me sëmundje kronike. Por pjesëmarrja më e ulët zgjedhore nuk ishte tek ky grup, por tek ata nga mosha 18-24 vjeç. Familja më rrëfen rregullisht për qendra blerjesh të mbushura plot (në kohët kur për shkak të Coronës, shkollat janë mbyllur në të gjithë vendin), pra nuk se është kaq e madhe frika nga infektimi.
Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje është shuplakë për politikën rumune, që në tre dekada pas rënies së diktaturës, me skandalet korruptive dhe ekonominë e tarafeve ka bërë që të humbasë besimi i qytetarëve tek shteti dhe institucionet e tij. Sidomos lufta kundër pandemisë e bën të qartë, se sa i rëndësishëm është ky besim. Po t’i pyes miqtë e mi, se sa besim kanë tek qeveria e politikanët, ata tallen dhe reagojnë të zhgënjyer.
Zhgënjim me politikën
E nga duhet të vijë ky besim? Ata kanë përjetuar, si PSD-ja post-komuniste, që në këto zgjedhje kryeson me rezultatet, nën drejtuesin e saj të dikurshëm Liviu Dragnea zbuti ligjet anti-korrupsion dhe minoi pavarësinë e drejtësisë. Ndërkohë Dragnea është në burg për shkak të korrupsionit. Disa prej këtyre votuesve kanë marrë pjesë në protestat kundër PSD-së dhe Dragneas, edhe më 10 gusht 2018, kur qeveria e PSD-së përdori gazin lotsjellës kundër demonstruesve. Këtë duket se e kanë harruar shumë votues të PSD-së.
Partia përpiqet të krijojë një imazh të ri me drejtuesin e saj, Marcel Ciolacu dhe ta përmirësojë atë me mjekë të njohur që vendosen si kandidatë kryesorë.
Shumë qytetarë që dolën në rrugë kundër korrupsionit janë të zhgënjyer edhe me partinë liberale të PNL-së të kryeministrit, Ludovic Orban që qeveris nga dimri i kaluar e mbështetet edhe nga presidenti Klaus Iohannis. Askush nuk ka harruar, që ka pasur një kohë, që PNL qeveriste me partinë PSD, një arsye më shumë që edhe ata të shihen si pjesë e elitës politike. Së fundmi shkaktoi mjaft reagime një rast i zbuluar nga shtypi, në të cilin PNL ishte e përfshirë në një aferë favorizimi për biznesin e furnizimit me ujë.
Pa asnjë shenjë shprese?
Por edhe valët kundër elitave të politikës mund të sjellin rreziqet e veta: Surpriza e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte që partia e re AUR, e njohur si parti ksenofobe, ekstremiste e djathtë arrin të hyjë në parlament. E më parë rumunët ishin krenarë që nuk kishin në parlament një parti me sfond ekstremist të djathtë.
Por nuk ka asnjë shenjë shprese nga këto zgjedhje? Nuk është kështu. Të paktën 265.000 rumunë që jetojnë jashtë vendit kanë marrë pjesë në zgjedhje, gati dy herë më shumë se në zgjedhjet e kaluara parlamentare në vitin 2016. Rumunët që punojnë jashtë dhe që dërgojnë para në shtëpi, nuk janë vetëm motor i zhvillimit ekonomik, por edhe një zë i rëndësishëm i politikës për reforma dhe progres. Shumica e rumunëve që jetojnë jashtë mbështesin aleancën liberale ekologjike, USR-PLUS, ku edhe unë i vë shpresat e mia: një parti pro-europiane e re, që distancohet nga elita e vjetër postkomuniste dhe angazhohet kundër korrupsionit dhe ekonomisë së favoreve. Por besimin e humbur tek politika nuk mund ta kthejë kaq shpejt edhe një parti e re. Unë shpresoj, që USR-PLUS të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme të koalicionit dhe të ndikojë në politikën rumune, megjithëse është partnerja më e vogël e koalicionit.DW