Bota sapo përjetoi nëntorin më të nxehtë, ndërsa Europa vjeshtën më të ngrohtë të shënuar ndonjëherë.
Sipas Sherbimit Europian për Ndryshimet Klimaterike Copernicus, temperaturat më të larta u shënuan në rajonet përgjatë Europës Veriore, Siberisë dhe Oqeanit Arktik, ku akulli i detit rezultoi të ishte në nivelin e dytë më të ulët të shënuar ndonjëherë përgjatë nëntorit. Zona e SHBA, Afrika Jugore, Amerika e Jugut, Tibeti, Antarktida e Lindjes dhe Australia përjetuan gjithashtu temperatura shumë më të larta se normalja të muajit nëntor.
Siç raporton CNN, në të gjithë globin, nëntori ishte 0.8 gradë celcius mbi mesataren e shënuar në vitet 1981-2010, dhe 0.1 gradë celcius më shumë se ai i vitit të kaluar.
Zjarret e shumta dhe intensive përgjatë 6 muajve të fundit në Australi mendohet se mund të ketë ndikuar jo pak në formimin e këtij fenomeni.
Ky studim ngre shqetësimin dhe thirrjen alarmante për një monitorim më të kujdesshëm veçanërisht të zonës së Arktikut, si një zonë e cila po ngrohet me një shpejtësi të madhe.
Sipas kësaj qendre, këto të dhëna janë në përputhje me prirjen afatgjate të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, dhe duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi për politikbërësit global për hartimin e masave dhe platformave që synojnë zgjidhjen e këtij fenomeni./abcnews.al