Hoti: 600 milion euro për rimëkëmbjen ekonomike në Kosovë

schedule19:12 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 19:12 - 4 Dhjetor, 2020

“Rreth 600 milionë euro arrin vlera e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, nga i cili do të përfitojnë bizneset dhe qytetarët” ka thënë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, është votuar të premten në Kuvendin e Kosovës.

Hoti në një konferencë për media, pas miratimit të këtij projektligji, ka thënë se 212 milionë euro është vlera që besohet se qytetarët do të tërheqin kursime nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Sipas projektligjit, nëse një kontributpagues tërheq 10 për qind të kursimeve deri në vlerë të 10,000 eurove, Qeveria e Kosovës do ta kompensojë të njëjtin brenda pesë vjetëve të ardhshëm.

Rreth 200 milionë euro janë paraparë në buxhetin e vitit të ardhshëm për bizneset si dhe një vlerë prej 20 milionë eurosh është planifikuar për punëtorët të cilët e humbin punën për shkak të pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi.

Përmes këtij projektligji, për sektorin e gastronomisë do të ulet tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) nga 18 në 8 për qind. Po ashtu, parashihet që Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) të autorizohet që të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind. “Unë besoj se kjo do të gjenerojë miliona euro investime, sepse është një lehtësim i madh për bizneset” tha Hoti. /Rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!