Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL), këtë të mërkurë ka paralajmëruar në lidhje me praninë e rrjeteve të ndryshme kriminale që mund të synojnë shitjen e vaksinave false kundër koronavirusit.
Në një deklaratë së fundmi Interpol, me seli në Francëka ngritur alarmin global për zbatimin e ligjit në 194 vendet e tij anëtare, duke i paralajmëruar ata që të përgatiten për rrjetet e krimit të organizuar që synojnë vaksinat COVID-19, si fizikisht ashtu edhe në internet.
“Ndërsa qeveritë po përgatiten të shpërndajnë vaksinat, organizatat kriminale po planifikojnë të infiltrojnë ose të prishin zinxhirët e furnizimit“, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Juergen Stock.
Ndërkohë Britania e Madhe këtë të mërkurë është bërë vendi i parë në botë që miraton vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë Pfizer dhe BioNTech.
Ndërkaq deri më tani ka disa vaksina të tjera premtuese që gjithashtu mund të miratohen së shpejti. Një nga ato është ajo e kompanisë Moderna e cila përdor të njëjtën qasje si vaksina e Pfizer dhe ofron mbrojtje të ngjashme. Edhe Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me AstraZeneca kanë zhvilluar një vaksinë.
Rusia ka përdorur një tjetër vaksinë, të quajtur Sputnik, dhe ushtria kineze ka miratuar një tjetër të bërë nga CanSino Biologics.
Derisa pandemia e koronavirusit po intensifikohet në pjesën më të madhe të botës, vendet po përpiqen të sigurojnë furnizime të mundshme të vaksinave dhe po përgatisin plane për veprimet e para që do të ndërmarrin në javët e ardhshme./abcnews.al