Banorët në protestë kundër HEC-it të Skavicës

schedule20:54 - 1 Dhjetor, 2020

schedule 20:54 - 1 Dhjetor, 2020

Banorët që jetojnë pranë pellgut të Drinit të Zi kanë protestuar kundër ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës.

Pavarësish ndalimit të grumbullimeve për shkak të pandemisë, dhjetëra banorë u mblodhën në kodrën ku ndodhet lapidari i betejës së Torviollit.

Ata nuk pranojnë ndërtimin e basenit, që sipas tyre, do të mbyste gjithë fushën e Dibrës.

“Ne duhet të jemi të qartë që komisionet që kemi zgjedhur të na prezantojnë denjësisht  dhe ta kundërshtojmë këtë, duke kundërshtuar këtë ne maksimalizojmë vlerën e atyre që humbasim, të tokës tonë , të shtëpisë, të prodhimeve bujqësore”, thotë një banor, shprehet një tjetër.

“Ne jemi mësuar me konceptin e shtetit të diktaturës dhe akoma s’na ka dalë lepuri prej barku. Janë ligjet e demokracisë europiane.  Njihni ligjet dhe mos iu nënshtroni asnjë pushtetari. Në 20 vjet kemi tre vendime qeverie i kemi rrëzuar”

“I themi jo Skavicës dhe po Dibrës. Jemi kundër çdo aktiviteti që do të krijohet për interesat e dikujt tjetër. Ne luftojmë të mbrojmë trojet tona”, thekson një tjetër.

Kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ulen me ta në bisedime.

“Ky vend këtu është blerë me napolona floriri dhe kurrësesi nuk mund të shitet me kartmonedha. Është e pafalshme të bëhet Skavica. Kemi dëshirën ta mbrojmë me paqe por dimë ta mbrojmë dhe ndryshe”, thotë banori.

Qeveria shqiptare hodhi hapin e parë për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës në qershor të këtij viti. Sipas projektit, ky investim do të plotësonte gjithë nevojat e vendit me energji dhe do të shmangeshin shkarkimet në kaskadën e Drinit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!