Erdogan vs Macron:Një përplasje ideologjike, apo një garë gjeopolitike?

schedule18:45 - 30 Nëntor, 2020

schedule 18:45 - 30 Nëntor, 2020

Nga Carlotta Serioli “Global Risk Insight

Vrasja e tmerrshme e profesorit francez Samuel Paty – që iu pre koka nga një emigrant

çeçen 18-vjeçar, simpatizant i ISIS-it, pas shfaqjes së karikaturave të Profetit Muhamed gjatë leksionit të tij mbi lirinë e fjalës – e tronditi botën, polarizoi shoqërinë franceze, dhe shkaktoi një përplasje të ashpër ideologjike midis presidentit francez Macron dhe atij turk Erdogan.

Do të ishte e lehtë, që kjo përplasje të shpërfillej si asgjë më shumë sesa një përplasje ideologjike, e cila do të përfundojë me ciklin e nesërme të lajmeve.

Me përplasjen më të fundit, duket se si Macron ashtu edhe Erdogan, janë duke çuar përpara axhendat e tyre politike, dhe po përpiqen të “gdhendin” pozicionet strategjike gjeopolitike. Vrasja e Samuel Paty, dhe sulmet fatale terroriste islamike në Nisë, Avinjon dhe Xheda, ndezën një debat rreth shekullarizmit shtetëror, që është thelbësor për identitetin francez, por që paraqet një sërë problemesh për 5 milion qytetarët myslimanë të Francës.

Disa prej këtyre të fundit, thonë se vlerat shekullariste të Francës janë arbitrare, pasi nëse feja nuk duhet të ndërhyjë në sferën publike, edhe sfera publike nuk duhet të ndërhyjë tek feja. Ndalimi që Franca imponon ndaj grave myslimane që mbajnë hixhabin në publik – i perceptuar prej këtyre të fundit si një shprehje e besimit dhe mendimit të tyre – mishëron kompleksitetin e debatit mbi shekullarizmin, në një vend ku shumë myslimanë francezë janë prekur tashmë nga varfëria, janë lënë në harresë nga politika, dhe stigmatizohen nga media.

Është e pamohueshme që Franca është viktima më e madhe e terrorizmit islamik në Evropë. Një fakt ky i trishtë, që i dha mundësi Macron të deklaronte se Franca është nën sulm nga një Islam “në krizë në të gjithë botën”. Më pas presidenti shpalli një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, dhe zbuloi një plan për të luftuar “separatizmin islamik”, përgjegjës sipas tij për krijimin e një kulture paralele, që hedh poshtë ligjet dhe normat franceze.

Natyrisht, kjo gjë nuk u prit mirë nga Erdogan, që pasi sugjeroi që presidenti francez t’i nënshtrohej një testi për shëndetin mendor, “për shkak të trajtimit që po u bën myslimanëve francezë”, e akuzoi Macron për demagogji islamofobe, dhe bëri thirrje për bojkotin e produkteve franceze në mbarë botën myslimane.

Kjo mosmarrëveshje diplomatike, nxiti protestat kundër Francës nga Maroku në Mali, dhe deri në Bangladesh javët e fundit. Ndërkohë, gazetat nacionaliste në Turqi e kanë mbështetur Erdoganin, dhe kanë kritikuar Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për heshtjen e tyre, ndërsa Egjipti, Kuvajti, Katari, Pakistani, Malajzia dhe Irani, e kanë dënuar Macron për komentet e tij.

Nga ana e tij, presidenti francez ka shtuar deklaratat e tij rreth separatizmit islamik, dhe e ka tërhequr ambasadorin e tij francez nga Turqia. Franca është përpjekur prej kohësh ta integrojë popullatën më të madhe myslimane të Evropës, ndërsa me komentet e tij të fundit mbi ”separatizmin islamik”, Macron ka hedhur zyrtarisht themelet e fushatës së tij për presidencialet franceze të vitit 2022.

Ai po përpiqet të joshë votuesit më konservatorë, që përndryshe mund të votojnë për sfidantët e tij në të djathtën ekstreme. Në fakt, edhe pse fitoi thellë në zgjedhjet e vitit 2017, mbështetja për Macron ka rënë, dhe partia e Marine Le Pen kundër emigracionit dhe e ekstremit të djathtë, Fronti Kombëtar – që doli e dyta në 2017-ën me 10 milion vota – përbën ende një kërcënim të pashmangshëm ndaj shpresave të Macron për t’u rizgjedhur në detyrë.

Në fakt, një sondazh i fundit mbi presidencialet e vitit 2022, zbuloi që Macron dhe Le Pen kishin mbështetjen e 25 për qind të votuesve. Ndjenjat e ekstremit të djathtë dhe tradita shekulariste e Francës, vazhdojnë që të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në politikën e sotme franceze, duke nxitur figurat publike franceze dhe mediat që ta sulmojnë Islamin, të mbajnë qëndrime populiste, dhe t’i bëjnë thirrje elektoratit që t’i mbështesë ata.

Nëse vazhdon kjo tendencë, polarizimi midis konservatorëve dhe liberalëve, por edhe Islamofobia do të thellohen në shoqërinë franceze. Dhe kjo ka të ngjarë të shtojë më tej rrezikun e përjashtimit strukturor të qytetarëve myslimanë, gjë që ka shpesh efektin kundër-produktiv të rikthimit të atyre që janë të margjinalizuar dhe të pa-orientuar, nga respektimi i ligjit drejt radikalizimit.

Mosmarrëveshja midis Turqisë dhe Francës, mund të jetë e maskuar nga një vello ideologjike, por sherrnaja midis Macron dhe Erdogan, nuk është gjë tjetër veçse një justifikim për të treguar muskujt e tyre, çuar përpara interesat e tyre politikë, dhe për të mbushur boshllëqet gjeopolitike në arenën ndërkombëtare.

Në fakt, Erdogan ka kohë që është përpjekur ta pozicionojë veten si mbrojtësi kryesor i Islamit në të gjithë botën myslimane, dhe të nxjerrë në pah fuqinë e Turqisë në Lindjen e Mesme përkundër asaj të Arabisë Saudite dhe Egjiptit.

Ndërkohë, Macron është përpjekur të ketë një ndikim kryesor në botën perëndimore, dhe ta pozicionojë Francën si bartësen e re të standardeve dhe vlerave liberale, në kundërpërgjigje të angazhimit në rënie të Donald Trump drejt intervencionizmit liberal dhe demokratizimit.

Për më tepër, ndonëse të dyja vendet jane aleatë në NATO, ato kanë shpesh mosmarrëveshje mbi një numër mosmarrëveshjesh gjeopolitike, përfshirë luftërat civile në Libi dhe Siri, ku Parisi dhe Ankaraja mbështesin palët e kundërta.

Parisi dhe Ankaraja kanë gjithashtu interesa strategjike të kundërta në konfliktin e Nagorno-Karabakut, ku francezët mbajnë anën e Armenisë, dhe e akuzojnë Erdoganin për furnizimin e Azerbajxhanit me mercenarë. Franca udhëheq gjithashtu korin e kritikave ndërkombëtare ndaj kërkimeve turke për gaz natyror në ujërat e Mesdheut Lindor, në një zonë të pretenduar nga Qipro dhe Greqia.

Rezulton se ndryshimet e mëdha të politikës së jashtme të Turqisë dhe Francës, i kanë rrënjët e thella, dhe që shkojnë përtej ideologjisë dhe fesë. Në frontin turk, përmes aludimit mbi një Islamofobi franceze, Erdogan po sinjalizon në fakt dëshirën e tij për të luajtur një rol dominues në skenën gjeopolitike të Lindjes së Mesme.

Gjithsesi, strategjia e tij fundit mund t’i kthehet në fund kundër si në Bruksel, në Uashington, por edhe brenda në Turqi. Lira turke ka rënë në nivelin më të ulët historik, pas shqetësimeve të investitorëve ndaj sjelljes agresive të Erdoganit. Ndërkohë disa vende myslimane – përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – kanë bërë thirrje për bojkot të produkteve turke.

Ndërkohë, shumica e qytetarëve turq, duket se kundërshtojnë axhendën e presidentit të tyre, dhe kjo ilustrohet nga vlerësimet e popullaritetit të tij, që ka rënë në vetëm 31 për qind kohët e fundit. Strategjia e Erdogan, nuk ka të ngjarë të jetë frytdhënëse as me Perëndimin.

Krerët e shteteve evropiane, janë bërë bashkë për ta mbështetur Francën, kundër asaj që ata e shohin si sjellje gjithnjë e më provokuese nga Ankaraja. Ndërkaq, presidenti turk mund të përballet me reagime të forta edhe nga SHBA. Ka të ngjarë që Uashingtoni ta perceptojë sjelljen provokuese të Erdoganit, si një shenjë që ai nuk po synon të rregullojë lidhjet me fqinjët e tij perëndimorë.

Kjo teori që mbështetet nga bashkërendimi i fundit i Erdoganit me Putinin në Siri dhe Libi,

si dhe blerja prej tij e raketave ruse, mund t’i kushtojnë shumë për shkak të sanksioneve amerikane. Nëse është kështu, Turqia do të gjendet në një situatë të rrezikshme, të karakterizuar nga një perspektivë e zymtë ekonomike dhe diplomatike.

Në frontin francez, kompanitë franceze do të ajo që do të mbajnë barrën e trukut elektoral të Macron, që po perceptohet si një sulm kundër Islamit nga ana e udhëheqësit e vendeve me shumicë myslimane. Në Francë, perceptimi se mënyra franceze e jetesës është në rrezik, ilustrohet nga një sondazh i kryer pas sulmit ndaj Samuel Paty, që zbuloi se 87 për qind e të anketuarve kanë frikë se shoqëria e tyre shekullariste është nën kërcënim.

Tek e fundit, polarizimi dhe përçarjet rreth besimit mysliman ka të ngjarë që të thellohen, ndërsa shekullarizmi rrezikon të manipulohet nga politikanët, që përpiqen të fitojnë terren politik. Kjo nga ana tjetër mund të dëmtojë një pakicë myslimane tashmë të armiqësuar, dhe të sjellë kritika kundër shekullarizmit arbitrar.

Përktheu: Alket Goce-Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!