Bayern Munchen ka siguruar vendin e parë në grupin A të Champions League, teksa nesër në mbrëmje luan jashtë fushe kundër Atletico Madrid. Një sfidë e bukur, por e rëndësishme vetëm për djemtë e Diego Simeones.
Trajneri i kampionëve në fuqi, Hans-Dieter Flick ka vendosur të lërë pushim disa nga titullarët e tij, teksa flet edhe rreth duelit me skuadrën spanjolle në konferencën e zakonshme për shtypin.
“Mund të konfirmoj se Neuer, Lewandowski dhe Goretzka do të qëndrojnë në Mynih, njësoj si Kimmich, Davies dhe Tolisso. Të gjithë janë lojtarë të rëndësishëm. Lewa dhe Goretzka kanë pësuar lëndime të vogla dhe është e drejtë të pushojnë.
Do të jetë një përballje e madhe ndaj Atletico Madrid. Ata kanë një nga mbrojtjet më të forta, janë të shkëlqyer në sulm dhe drejtohen nga një trajner që i ka dërguar në nivele të larta. Është kënaqësi për ne të përballemi me këtë skuadër.
Duhet të zbresim në fushë si profesionistë dhe do të tentojmë fitoren. Duam të zhvillojmë një futboll të bukur. Kimmich? Joshua është një lojtar i nivelit të lartë dhe tepër i rëndësishëm për Bayern Munchen.
Ai na jep ekuilibër, është i saktë me topin, dhuron pasime fantastike dhe e kontrollon gjithmonë lojën. Do të kthehet shpejt dhe kjo na lumturon“, deklaron trajneri i ekipit gjerman. /abcnews.al


