Nga Erblina Mile
22 dhoma tregtie dhe shoqata të sipërmarrjes i kanë dërguar një kërkesë të përbashkët Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të kundërshtuar Udhëzimin që parashikon bllokim të llogarive bankare të aksionerëve dhe administratorit nëse kompania nuk shlyen detyrimet tatimore. Biznesi e ka konsideruar të papranueshëm cenimin e llogarive personale të administratorit, ortakut dhe aksionarit të kompanisë lidhur me detyrimin tatimor të kompanisë pa patur një vendim të formës së prerë të gjykatës i cili ngarkon me përgjegjësi individuale për pagesën e detyrimeve tatimore.
Në letrën drejtuar ministres Anila Denaj dhe Eduart Shalsi thuhet se do të ishte e kundërligjshme çdo masë sekuestro konservative apo masë tjetër që cenon llogaritë bankare dhe/ose pasuritë e tjera të ortakut/aksionerit/administratorit, që mund të marrë administrata tatimore. Në këtë kontekst, masa të tilla mund të merren vetëm nga gjykata kompetente gjatë gjykimit të padisë. Sipas biznesit në vend , formulimi aktual i udhëzimit lë hapësira për abuzim nga ana e autoriteteve tatimore, pasi krijon idenë se keta te fundit kanë të drejtën të japin urdhra bllokimi pa pasur fillimisht një vendim të gjykatës së formës së prerë.
Për rrjedhojë, propozohet që ky paragraf i Udhëzimit të ndryshohet duke i dhënë të drejtë administratës tatimore të kërkojë në rrugë gjyqësore transferimin e detyrimit tatimor të personit juridik tek ortakët, aksionarët dhe tek administratorët e personit juridik. Komuniteti i biznesit në vend thekson se harmonizimi i legjislacionit, zbatimi i drejtë i tij dhe forcimi i shtetit të së drejtës janë ndër parimet kryesore që ndikojnë në përmirësimin e klimës së së të bërit biznes./ db/Abcnews.al