Skuadrat italiane ishin më të mirat në mbrëmjen e Championsit

schedule16:28 - 19 Tetor, 2017

schedule 16:28 - 19 Tetor, 2017

Dy skuadra italiane mbajtën lart nderin e futbollit të Apenineve në Ligën e Kampionëve. Roma mori një barazim të madh në Londër, ndërsa Juventusi fitoi.

 

Anglezët janë skuadrat e vitit, veçse nuk do të jenë pa rivalë.

Nëse Reali i Madridit ka disa probleme, italianët nuk duan “ta ulin” në asnjë mënyrë “flamurin” në Champions.

Ishte mbrëmja sidomos e Romës, edhe pse nuk fitoi.

Formacioni i trajnerit Di Françesko la pas një humbje jo edhe aq të lehtë, sa ajo në fushën e vet ndaj Napolit, duke përballuar Çelsin në “Stemford Brixh”.

Pavarësisht se kampionët e Anglisë kryesuan 2-0, asgjë nuk ishte e përfunduar dhe kundërshtari tregoi moral e karakter të lartë.

Aleksandar Kolarov shkurtoi diferencën për romanët pasi David Luiz dhe Eden Hazar kishin krijuar epërsinë për vendasi.

Në pjesën e dytë ndodhi thuajse e pabesueshmja me Romën në avantazh 3-2, pasi Edion Xheko ndëshkoi dy herë blutë e Londrës.

U desh sërish Hazar, edhe ai në një ndeshje të madhe, për të shpëtuar një pikë për skuadrën e Antonio Kontes, që gjithsesi është në pozicion shumë të mirë në renditje, me 7 pikë ndaj 5 të Romës, 2 të Atletikos së Madridit dhe 1 të Karabakut të Ansi Agollit.

Mbrëmja ishte edhe e Juventusit, ndonëse disi “me mik”.

Nënkampionia e Europës tregoi se disfata me Lacion në Torino e kishte tronditur mjaft, edhe pse fitoi.

Nuk ishte aspak e lehtë ndaj Sportingut të fortë të Lisbonës, ekip me cilësi dhe përvojë, edhe pse jo i nivelit të Juventusit.

Aleks Sandro shkaktoi autogol në favor të miqve, Miralem Pjaniç barazoi në 28’, por goli i dytë erdhi shumë vonë.

Pas boshnjakut shënoi kroati Mario Manxhukiç (gjithnjë tepër i rëndësishëm) kur duheshin edhe 6 minuta deri në fund.

Juventusi është i pozicionuar mirë në grupin D, në vend të dytë me 6 pikë, i lënë pas vetëm nga kryesuesja Barcelona.

Kryesuesja e kampionatit spanjoll pati një ndeshje jo shumë të zakonshme ndaj Olimpiakosit, ku Gerard Pike doli me të kuqe që në pjesën e parë.

Autogoli i Nikolaut, pastaj rrjetat e Mesit dhe Dinjes i dhanë fitoren katalanasve, ndërsa grekët shënuan vetëm në fund (sërish) me anë të Nikolaut.

Për Mesin ky ishte goli I 97-të në Champions dhe I 100-ti në Europë në karrierë, dhe këtë e ka arritur më 20 ndeshje më pak sesa Kristiano Ronaldo.

Gjithsesi, edhe pse italianët dhe Barça u paraqitën mirë, anglezët nuk ishin shumë prapa.

Çelsi vërtet barazoi, por fitoi Mançester Junajtidi.

“Djajtë e kuq” u treguan skuadër e vërtetë e Murinjos, duke triumfuar minimalisht në Lisbonë ndaj Benfikës.

Markus Rashford shënoi golin e vetëm në 64’, ndërsa Luizao doli me të kuqe për portugezët.

Junajtid ka 9 pikë të plota, ndaj 6 të Bazelit, 3 të CSKA-së dhe 0 të Benfikës.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!