“Na keni çarë t***in me këtë pyetje, u bë e mërzitshme. Pse nuk bisedoni me djemtë, pyetini ata se si ndihen me këtë skemë. Gjithmonë me këtë histori, u bë e mërzitshme. Nuk është skemë mbrojtëse, futbolli luhet në markime një kundër një.
Nuk duhet të qaheni për golat e pësuar, e harruat sa gola keni pësuar në të kaluarën? Më vjen keq që nuk keni shumë kapacitet. Janë të shumtë që e shohin ndeshjen, ka opinionistë pafund, por ka edhe të tillë që nuk e shohin fare ndeshjen“.
Këto ishin fjalët e Edi Rejës pas pyetjes për të disatën herë në ditën e djeshme rreth skemës 3-5-2. Trajneri i kombëtares nuk u përmbajt më, veprim rreth të cilit flet në “Pressing” Ervin Bulku, ndihmësi i Rejës në kombëtaren kuqezi. “Nuk besoj se ishte nervoz. E pashë shumë të lumtur, festuam të gjithë bashkë në dhomat e zhveshjes. Me trajnerin isha edhe pas ndeshjes, ishte shumë i gëzuar.
Ishte momenti më i mirë, nuk ka pse të ishte nervoz. Nuk ka treguar nervozitet as në momente të vështira. E njoh shumë mirë, nuk është tip dhe karakter që akumulon në momente të vështira për të shpërthyer kur fiton. Nuk është i tillë.
Nuk pashë shpërthim, është i qetë. Mendoj se ishte një pyetje e kotë. Nuk kemi pësuar kurrë më pak gola se pas. Është pyetje që i është bërë që prej ndeshjes së tij të parë me Islandën. Në çdo dalje publike e pyesin se pse luan me tre. Të gjithë e kanë marrë vesh që luajmë me tre.
Reja ka 2 vite këtu. Nga dita e parë deri në ditën e fundit i bëhet e njëjta pyetje, diçka që e ka sqaruar shumë mirë. Kjo prej faktit që është reparti më i konsoliduar për momentin. Dy gola i pësuam në ndeshjen e fundit, gjatë gjithë pjesës tjetër të kompeticionit kemi pësuar dy gola“, deklaroi Bulku. /abcnews.al