Shpëtim Duro, trajneri i njohur kryeqytetas, rikthehet në emisionin “Pressing” në ABC dhe flet në rolin e specialistit të futbollit për tematika të ndryshme. Sigurisht fokusi kryesor ishte te kombëtarja, që triumfoi kundër Bjellorusisë dhe u ngjit në Ligën B në Nations League.
“Kur arrihet objektivi i vihet kapaku çdo gjejë. Me rëndësi është që kaluam më ligën B. Gjithashtu e rëndësishme është që arritëm një objektiv dhe i jep qetësi stafit teknik dhe lojtarëve. Është arritje.
Mund të ishim pretendentët kryesorë në letër, por diferencat në futboll janë të vogla. E merituam vendin e parë. Në një moment e ndërlikuam situatën me humbjen kundër Lituanisë. Gjithsesi kombëtarja tregoi karakter dhe i mori dy fitoret kur i duheshin”.
“Ishte një kompeticion i plotë i trajnerit reja. Nëse nuk do ta arrinte vendin e parë, do të krijoheshin probleme. Kjo është puna e trajnerit. Arritja e objektivit i dha qetësi. Situata nuk ka qenë e mirë, pasi ka pasur dëmtime.
Është bërë një fazë selektive mjaft e mirë. Kemi lojtarë të së ardhmes, është parë edhe nga lojtarët e kampionatit. Në dy ndeshjet e fundit, Cikalleshi tregoi se është i pazëvendësueshëm. Memushaj gjithashtu i dha personalitet mesfushës”.
“Gjëja më e rëndësishme ishte që t’i jepte stafit qetësi. U bë një punë e mirë në seleksionim. Nuk luajtën Hysaj e Abrashi, por skuadra funksionoi. Kishim Laçin që bëri super ndeshje dhe mund të ketë bërë 13 kilometra”.
“E rëndësishme që shkuam në vendin e parë. Duhet të shkonim më lehtësisht. Pozitive ishte se skuadra tregoi vlera kur duheshin fituar. U zgjidh shumë mirë në aspektin sulmues. Kemi shënuar 6 gola në dy ndeshje. Kemi fituar shumë futbollistë, si Doka, apo të tjerë të rinj.
Kemi edhe Trashin, Hysajn e Roshin që nuk ishin, apo edhe Broja. Ky trajner ka ndërtuar një organikë të dubluar në çdo pozicion. Konkurrenca do të jetë e madhe. Tani ai vazhdon i qetë me këtë projekt”. /abcnews.al