Komisioni i ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit për “Gjendjen Civile”

schedule13:30 - 18 Nëntor, 2020

schedule 13:30 - 18 Nëntor, 2020

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar sot me 14 vota kundër dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthim në Kuvend të ligjit për ‘’Gjendjen Civile’’.

Në seancën e sotme të Komisionit të Ligjeve ishte i pranishëm dhe këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj që parashtroi arsyet e kthimit të ligjit ndërkohë nga anëtarët e Komisionit vetëm 1 votoi pro dekretit dhe një abstenim.

“Ligji, nuk synon heqjen e gjobave për shtetasit që nuk deklarojnë banesën, por synon të deformojë listat e zgjedhësve. Ndryshimet në ligjin për gjendjen civile fshehin synimin të çekuilibrojnë numrin e mandateve për secilin qark.

Mazhoranca po përdor ndryshimet në ligje për të forcuar pozitat në zonat më pak të favorshme. Do s’postoje militantët drejt zonave ku historikisht ka qenë humbëse.

Shpërndarja e mandateve bëhet ekskluzivisht mbi bazën e numrit të shtetasve që kanë regjistruar vendbanimin në secilin qark. Ndryshimi i numrit të shtetasve me vendbanim në secilin qark mund të çojë në ndryshim të përfaqësimit të secilit qark në Kuvend, nëpërmjet uljes apo rritjes së numrit të mandateve përkatës.

-Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke konsideruar ndikimin e rëndësishëm që mund të ketë në procesin zgjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike.  Procesi i rishikimit periodik të shpërndarjes së mandateve është thelbësisht i lidhur me regjistrimin e vendbanimit të shtetasve. Një situatë e paqëndrueshme, apo që jep hapësirë për regjistrime fiktive kaq pak kohë para zgjedhjeve dhe pikërisht para momentit të rishikimit ligjor të shpërndarjes së mandateve sipas qarqeve, do të cenonte rëndë përfaqësimin parlamentar, procesin zgjedhor dhe besimin politik tek procesi zgjedhor.

Ky propozim nga deputetë të shumicës qeverisëse, dhe që nuk vjen nga ministria përgjegjëse që mbulon çështjen, në mënyrën si është formuluar për të lehtësuar lëvizjet në vijim, dhe jo për të lehtësuar qytetarët që nuk kanë deklaruar në kohë, e bërë në një situatë parazgjedhore, krijon një hapësirë më shumë për t`u keqpërdorur për qëllime politike”, ka thënë këshilltari i Presidentit.

Shumica vendosi për rrëzim të dekretit dhe tashmë ai do të kalojë për votim edhe në seancën e ardhshme në Kuvend.

n.d./abcnews.al