Hamdi Salihi, ish-sulmuesi i njohur shqiptar dhe pjesë e stafit teknik të kombëtares shqiptare, në një lidhje direkte në emisionin “Pressing” në ABC, flet rreth fitores 3-1 kundër Kazakistanit, lojës dhe gjendjes në ekipin e Edi Rejës, dhe “finales” për vendin e parë në grupin 4 të Nations League kundër Bjellorusisë, sfidë që luhet ditën e mërkurë në “Air Albania”, duke nisur prej orës 16:00.
“Morëm prej ndeshjes atë që kërkuam, rezultatin. E morëm duke mos e vënë në diskutim asnjëherë. Dikujt nuk i pëlqen mënyra sesi luhet, një tjetri s’i pëlqen pozicioni i një lojtari, por këto janë mundësitë që kemi dhe po mundohemi të përshtatemi me situatën.
Mungesë ritmi? Nuk mund ta quaj ashtu, pasi shënuam shumë shpejt 2 gola dhe më pas duhet të menaxhosh lojën. Ritmin e bëjnë dy ekipet, jo vetëm njëri. Ne bëmë lojën tonë, bëmë atë që deshëm të bënim dhe çfarë kishim përgatitur. Duhet të jemi të kënaqur, por çdo ndeshje ka nevojë për t’u përmirësuar.
Rinovimi i skuadrës? Trajneri është munduar t’i bëjë të dyja. Nuk është shumë pjesë rinovimi, nuk është se kemi shumë lojtarë në moshë të madhe. Ideja është të gjejmë sa më shumë lojtarë, për t’iu përshtatur edhe surprizave që ndodhin në fund, si rasti i Kumbullës. Është e nevojshme t’i aktivizosh lojtarët në fushë për t’i parë më mirë.
Edhe nëse ka ndërrime, ndodh pozicion për pozicion apo emër për emër. Mënyra e lojës dhe skema mbetet e njëjtë. Kemi arritur të gjejmë një stabilitet në defensivë, nuk duam ta humbasim këtë dhe po tentojmë të përmirësohemi në ofensivë. Ka shumë zgjedhje, edhe me Kosovën e pamë që jemi në gjendje të mirë. Ka mundësi të provojmë dhe të gjejmë alternative të ndryshme.
Bjellorusia? Është bërë gjysma e punës, shpresojmë ta plotësojmë me Bjellorusinë, por asnjëherë pa i ngarkuar lojtarët më tepër sesa duhet. Shpresojmë të arrijmë fitoren me anë të logjikës dhe jo duke dalë nga detyrat e duke harruar ato gjëra që na bëjnë më të fortë“, theksoi Hamdi Salihi. /abcnews.al