Trajneri i Kilit, Reinaldo Rueda ka reaguar në lidhje me dëmtimin e Alexis Sanchez. Sulmuesi i Interit ka pësuar një dëmtim muskulor që ka shqetësuar zikaltrit, teksa 63-vjeçari kolumbian ka mbrojtur stafin e tij mjekësor në konferencën para takimit me Perunë për eliminatoret e Katar 2022.
“Alexis Sanchez vuan nga një shqetësim muskulor dhe dje përfundoi stërvitjen para kohe si një masë paraprake. Lojtari u vizitua sot në një klinikë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim të rëndë.
Stafi mjekësor po kujdeset për Alexis dhe do ia dalë ta rikuperojë. Gjithsesi, nuk do të rrezikojmë në lidhje me aktivizimin e tij. Të shohim se si do të përgjigjet lojtari në stërvitje dhe do të marrim vendimin më të mirë.
Me gjithë respektin për institucionet shëndetësore europiane dhe kolegët europiane, do të doja që i njëjti respekt të ekzistonte edhe për mjekër tanë. Duhet të ketë një respekt të ndërsjelltë.
Nuk jemi në epokën e kolonive, duhet të jemi të qartë në lidhje me këtë temë. Ndihem krenar në lidhje me stafin mjekësor të kombëtares time, janë të një niveli të lartë. Djemtë e mi janë gati të vdesin për këtë fanellë“, deklaron Rueda. /abcnews.al

