Australia do të emërojë një prokuror special për të hetuar pretendimet për krime lufte të kryera nga forcat speciale australiane në Afganistan.
Kryeministri Scott Morrison ka paralajmëruar më 12 nëntor australianët që të presin publikimin e pretendimeve për “shkelje serioze dhe potencialisht kriminale”, në raportin për elitën e ushtarëve australianë në Afganistan.
Më 2016, Prokurori i Përgjithshëm i Forcave australiane të Mbrojtjes ka lansuar një hetim katërvjeçar për të analizuar pretendimet për vrasje të paligjshme dhe shkelje tjera të mundshme nga ana e forcave speciale në periudhën 2005-2016.
Hetimet kanë nisur pas dyshimeve të mediave australiane dhe informatorëve, për vrasje të civilëve afganë dhe të burgosurve të paarmatosur – duke përfshirë vrasjen e një të burgosuri për të ruajtur hapësirë në helikoper dhe vrasjen e një fëmije gjashtëvjeçar gjatë bastisjeve.
Më herët gjatë këtij viti, Prokurori i Përgjithshëm ka identifikuar 55 incidente potenciale, kryesisht të lidhura me vrasje të paligjshme.
Morrison ka thënë se një version i redaktuar i raportit të Prokurorit të Përgjithshëm do të publikohet brenda ditësh.
Kryeministri ka thënë se nëse akuzohen, ushtarët do të gjykohen sipas sistemit australian të drejtësisë, duke tentuar kështu që të shmanget ndonjë veprim i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Rreth 40,000 ushtarë australianë kanë shërbyer në Afganistan bashkë me forcat amerikane dhe ato të aleatëve, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Supozimet për krime lufte janë bërë publike fillimisht më 2017 kur transmetuesi public ABC ka publikuar disa dokumente sekrete të operacioneve speciale në Afganistan, duke përfshirë rastet kur ushtarët kanë vrarë burra të paarmatosur dhe fëmijë.
Në përgjigjje ndaj lajmit, Policia australiane ka nisur hetime pë ABC-në për atë që është bërë e njohur si Dosja Afgane, mirëpo gazetarët, Daniel Oakes dhe Sam Clark nuk janë gjykuar./REL