Njerëzit më besnikë të Trump, poste kyçe në Pentagon

schedule09:17 - 12 Nëntor, 2020

schedule 09:17 - 12 Nëntor, 2020

Një ditë pasi Presidenti Trump shkarkoi Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper, tre besnikë të presidentit u emëruan në poste të larta. Ndër ta Anthony Tata, një ish-komentator për rrjetin televiziv Fox News, i cili nuk mori konfirmimin e Senatit si rezultat i komenteve ofenduese që kishte bërë, ndër të tjera edhe në adresë të fesë islame.

Ndryshimet e papritura kanë tronditur Pentagonin, ndërkohë që personeli ushtarak e civil pret se çfarë tjetër mund të ndodhë dhe shqetësimet janë shtuar se mund të jetë vënë në lëvizje një përpjekje për të flakur ata që nuk janë besnikë ndaj Trump.

Megjithëse nuk ka gjasa për zhvendosje drastike në politika deri më 20 janar kur bëhet inaugurimi i presidentit të ri, ndryshimet mund të dëmtojnë edhe më tej atmosferën për një tranzicion të qetë, që deri tani është tronditur nga refuzimi i presidentit për të pranuar humbjen.

James Anderson, i cili ka qenë nënsekretar në detyrë për politikat, dha dorëheqjen të martën dhe u zëvendësua menjëherë nga Anthony Tata, general i ushtrisë në pension. Më pas, Joseph Kernan, nënadmiral i marinës në pension, dha dorëheqjen si nënsekretar duke shpejtuar largimin e tij të pritshëm nga ky post pas zgjedhjeve. Kernan u zëvendësua nga Ezra Cohen-Watnick, i cili tani është nënsekretari në detyrë për zbulimin.

Ndryshimet u regjistruan në ditën e dytë në detyrë të shefit të ri të Pentagonit, Christopher Miller. Miller solli edhe një shef të ri personeli, Kash Patel, për të zëvendësuar Jen Stewart, që e kishte përmbushur atë detyrë gjatë drejtimit të institucionit nga Esper. Zyrtarët Patel dhe Cohen-Watnick konsiderohen besnikë të betuar të Trump dhe kanë punuar më parë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Patel ishte pjesë e një grupi të vogël ndihmësish që udhëtuan disa herë me presidentin në periudhën e fundit të fushatës zgjedhore. Ai ka qenë prokuror në drejtorinë e sigurisë kombëtare në Departamentin e Drejtësisë dhe ish-pjesëtar i stafit në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Patel, sipas disa artikujve në media, ka qenë i përfshirë në përpjekje për të diskredituar hetimet mbi lidhje të mundshme mes kampit zgjedhor të Trump dhe Rusisë. Ai filloi punë në Këshillin për Sigurinë Kombëtare në shkurt 2019 dhe në fillim të këtij viti ishte në Siri për bisedime të nivelit të lartë për të siguruar lirimin e dy amerikanëve që ishin zhdukur prej vitesh, përfshirë gazetarin Austin Tice.

Cohen-Watnick ka qenë person i afërt me këshilltarin e parë të Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, por u shkarkua në verën e 2017 nga pasuesi i  Flynn, H.R. McMaster, në kuadër të një numër lëvizjesh të personelit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe stafin e Shtëpisë së Bardhë.

Ndryshimet në personelin e Pentagonit e shtuan dramacitetin e shkarkimit të Sekretarit Esper, por nuk është e qartë se sa do të ndikojnë këto në burokracinë gjigante të Pentagonit. Ky departament ushtarak mbështetet në parimin e udhëheqjes civile mbi ushtrinë dhe pjesa më e madhe e punëve të përditshme drejtohen nga udhëheqës ushtarakë e ekspertë në SHBA apo në skaje të botës, të cilët respektojnë me bindje hierarkinë e komandës.

Po ashtu, shumë nga përparësitë dhe politikat e Presidentit Trump lidhur me mbrojtjen janë vënë në zbatim nga  Esper dhe pararendësit e tij, nën udhëzimin e Shefave të Shtatmadhorisë dhe shefit të tyre, Gjeneralit Mark Milley. Të gjithë këta udhëheqës ushtarakë mbeten në detyrë.

Kjo është tentativa e dytë e Presidentit Trump për të emëruar në një post politik  Tata. Disa muaj më parë, Trump e emëroi  Tata në post, por Senati e anuloi seancën për konfirmimin e kandidaturës së tij, pasi u bë e qartë se konfirmimi do të ishte i vështirë. Tata e tërhoqi kandidaturën për postin numër tre në Pentagon. Më pas presidenti e emëroi në detyrën e zëvendës nënsekretarit.

Departamenti i politikave në Pentagon ka përjetuar trazira të vazhdueshme. John Rood u detyrua të japë dorëheqjen si nënsekretar për politikat në shkurt, pasi irritoi Shtëpinë e Bardhë kur paralajmëroi të mos pezullohen ndihmat amerikane për Ukrainën, një temë që çoi në hapjen e procesit për shkarkimin e mundshëm të presidentit.

Tata do të përmbushë detyrat e nënsekretarit, por nuk do të ketë titullin “nënsekretar në detyrë”. Zyrtarët që marrin titullin “në detyrë” kanë më shumë autoritet se sa ata që janë thjesht “duke përmbushur detyrën” e postit.

Sipas medias,  Tata postoi në 2018 në Twitter komente ku e cilësonte fenë islame “feja më shtypëse dhe e dhunshme që njoh” dhe e quajti ish-Presidentin Obama “udhëheqës terrorist” duke iu referuar atij si mysliman. Postimet u hoqën  më pas.

Gjatë procesit të konfirmimit në Senat, ligjvënësi demokrat Adam Smith, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Armatosura, tha se presidenti nuk duhet të vërë besnikërinë mbi kompetencën duke emëruar dikë në një detyrë ku “i emëruari nuk mund të marrë mbështetjen e Senatit, siç është e qartë në rastin e zotit Tata”.

Zyrtarë të mbrojtjes thonë se  Miller, i cili më parë ka qenë drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundër-terrorizmit, po takohet me stafin dhe po familjarizohet me Pentagonin dhe temat komplekse dhe kritike të misionit të këtij institucioni.

Largimi i Anderson u njoftua për herë të parë nga portali mediatik, Politico./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!