Nga Dylber Balla
Arrestimi i kupolës drejtuese të UÇK-së dhe ngritja e akuzave nga Prokuroria Speciale për krime lufte në 17 vendqëndrime, mes të cilave edhe në Shqipëri, Kukës dhe në Has riktheu edhe njëherë vëmendjen shumë vite më parë në verilindje të vendit. Gazetarja e ABC-së, Linda Karadaku për të rikthyer edhe njëherë ngjarjet e asokohe intervistoi ish-komandantin e divizionit të Kukësit Kudosi Lame, ku mes të tjerash e pyeti edhe në lidhje me akuzat kundër kupolës së UÇK-së për kampe torturash, që e mohoi kategorikisht. Por gjatë intervistës, Lame rrëfeu një episod interesant. Ai tha se Nasim Haradinajt, që tashmë është në Hagë, në një moment i kërkoi që t’i çonte një serb, të gjallë, rob në zyrë në Kukës. Në vijim, Lame tha se Haradinaj ia çoi robin serb duke i plotësuar kërkesën, që për më shumë ish-komandanti i divizionit të Kukësit, tekstualisht e tregoi kështu:
“Njërin nga ata që na e morën atje, Nasim Haradinajn tani, që e morën kot atë, sepse e morën atë në Hagë e dinë ata. Një natë kur ai ishte në vijat e frontit dhe unë isha në zyrë, i thash çfarë po bën? Ishte ora 6 e darkës. Më tha në detyra. I thashë, jo nuk je. Jam tha. Atë ditë ndodhi një katrahurë se Armand Mero i Zërit të Amerikës bëri një katrahurë sepse deklaroi se u pushtua Bajram Curri nga Serbia.
Po, po, e deklaroi Zëri i Amerikës atë punë. Qeveria, shteti, Presidenti, Kryeministri më merr mua në telefon, cfarë ndodh? Po rrini ore në punë tuaj. Dhe unë shfrytëzova rastin në këtë moment, u bëra si i revoltuar me këtë djalin që ishte atje ku nuk mund të kalonin serbët duke qenë ai aty. I thashë që të vërtetosh që je aty ku po thua, kur të vijë ora 6 nesër në darkë dua një serb në zyrën time të gjallë, rob. Po. Dhe kur erdhi ora 6 e mëngjesit ai erdhi dhe e solli robin në Kukës në divizion. Më tha ja ku e ke”.
Gazetarja Linda Karadaku e pyeti se çfarë ndodhi me serbin? Lame tha se nuk e kishte takuar, por e robin e luftës e kishte marrë në pyetje Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit dhe më pas e kishin dorëzuar te OSBE-ja në qendër të Kukësit.
“Unë nuk e takova fare, nuk u mora fare. Mua nuk më interesonte të takoja një rob. Unë kisha ai që isha dhe kisha interes tjetër, atë e mori Shërbimi Informativ i Ushtrisë, Shërbimi Informativ i Shtetit në pyetje, deri në orën 2, më pas pushoi pak, hëngri bukë, dhe në orën 3, i thashë Nasimit, merre këtë, i kemi lajmëruar të gjitha mediat botërore, dilni në qendër të Kukësit dhe dorëzojani OSBE-së. Dhe ai doli në qendër të Kukësit me gjithë atë uniformën krejt baltë dhe ia dorëzoi OSBE-së robin serb. Dhe kaq. Kaq. E kreu misionin. UÇK-ja i dorëzonte robërit, realisht, kur i zinte i dorëzonte, iu paraqit rasti për ta dorëzuar, e dorëzoi” tha ai.
Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë deklaratë të Lames dhe për cfarë e morën robin serb të luftës në pyetje, Abcnews.al kontaktoi ish-kreun e SHISH-it asokohe, Fatos Klosin, i cili në mënyrë kategorike e mohoi një gjë të tillë. Klosi u shpreh se një deklaratë e tillë aspak e vërtetë në këto momente, teksa në Hagë është kupola drejtuese, është një autogol për UÇK-në.
“Janë absurde. Absolutisht. Nuk ka ndodhur ndonjëherë takim që ta di unë. SHIK-u absolutisht jo, mbase shërbimi i zbulimit të ushtrisë, por ne nuk kemi pasur ngjarje të tilla. Cfarë serbësh me cfarë statusi? Çfarë do me thënë rob lufte? Përse e kërkoi, ç’i duhej robi serb? Hiqen të rëndësishëm ca njerëz, duan të tregojnë se janë pjesë e historisë, është turp për të sajuar ngjarje për t’u dukur se kemi qenë edhe ne, kemi bërë një gjë. Më duket shumë çudi. Si mund të kërkojë më sillni një serb, si të thuash më sillni një pulë, cfarë do me thënë kjo? Është habi.
Më sillni një serb, cfarë fjali absurde është kjo. Që nga kjo ai nuk ka fare të bëjë me luftën, nuk e di ku ka qenë ato kohë. Nuk flasin njerëzit serioz kështu. Ai mund të thoshte që po, kishim një rob serb, nuk di ctë bënim, ua dorëzuam këtyre atyre, por jo u thash këtyre atyre më sillni një serb. Ai rren. Kjo është loja, që bëjnë ata që akuzojnë shqiptarët.
Mund të quhet autogol? “Unë nuk e di kujt është ky njeri, ky që e mban veten si i UÇK-së, është i serbëve, i FARK-ut, lerë ca thotë, veteranë, ka shumë me qindra me mijëra. Mos u merrni me të tillë njerëz. Ai është autogol për UÇK-në. Por ai mund të mos jetë fare i UÇK-së, është lojë e dikujt tjetër. Nuk është koha, sidomos tani që kanë shkuar udhëheqësit e UÇK-së në Hagë” deklaroi Fatos Klosi.
Në vijim të intervistës, Kudosi Lame tha se forcat serbe hynë dy herë në territorin shqiptar. “Ushtria serbe ishte në kufi dhe realisht është cenuar integriteti kryesisht me artileri në total për 22 muaj që ka vijuar ajo luftë në Kosovë, kanë qenë rreth 12 mijë predha artileri që kanë rënë brenda territorit shqiptar nga Serbia. Kemi pasur dy raste që ata kanë sulmuar me forca dhe kanë hyrë brenda territorit, një rast në Qafën e Morinës dhe një në Qafën e Prushit” tha ai.Por edhe në këtë pikë, Klosi e rrëzon. “Forcat serbe nuk kanë hyrë ndonjëherë, vetëm kanë gjuajtur me artileri. Që këtu fillojnë broçkullat”.
Ndërkohë që ish-kryeministri Pandeli Majko i kohës së luftës, të hënën e kaluar u shpreh në “Opinion” se akuzat e ngritura nga Haga për drejtuesit e UÇK-së nuk janë të vërteta dhe se atë kohë nëse do të kishte kampe në Shqipëri do të ishin zbuluar, pasi asokohe cdo shtet, që kishte përfaqësuesit në Shqipëri, por edhe NATO vetë kanë dosjet me dokumente dhe asgjë nuk është e vërtetë. Por zbuloi dhe një detaj. “Për dijeninë tuaj, gjatë luftës në Shqipëri me kërkesë të qeverisë shqiptare është vendosur edhe një mision i gjykatës së Hagës për të shqyrtuar krimet e luftës dhe ky mision jetonte në vilën e kryeministrit se unë nuk jetoja atje” tha ai.
I pyetur nëse kishte dijeni për këtë, Fatos Klosi e mohoi. “Nuk e kam dëgjuar. Nuk merrej SHIK-u me çfarë bënte kryeministri, SHIK-u punonte për kryeministrin. SHIK-u i jepte informacion kryeministrit. Kjo gjykatë është tjetër në krahasim me atë të Hagës, kjo gjykatë në kohën që flet kryeministri nuk ka ekzistuar, kjo gjykatë është aprovuar në parlamentin e Kosovës disa vite më parë.
Ata kanë qenë prokurorë të tjerë, kanë të bëjnë problemet e luftës dhe krimet, por nuk është e njëjta gjykatë. Ka qenë për gjykatën e Hagës për krimet e Jugosllavisë. Kjo tani është gjykatë Kosovare, e Kosovës, e ka qendrën në Hagë, që dëshmitarët që të jenë më të mbrojtur. Nuk kam pasur asnjë kontakt me ata. Në atë kohë Shqipëria ishte bërë qendër e shumë ushtrive. Ne flisnim me ata që kishim detyra të përbashkëta, me prokurorinë kurrë kontakte” përfundoi Klosi./ Abcnews.al