Legjenda e Arsenal, Arsene Wenger, e ka pranuar se vitin e kaluar ishte shumë pranë stolit të Bayern Munchen. Bavarezët kërkonin francezin për të pasuar Niko Kovac, por tashmë në krye të klubit është Hansi Flick, i cili fitoi gjithçka në sezonin e kaluar. Megjithatë, Serger Gnabry beson se ish-trajneri i tij do të kishte patur shumë sukses nëse do të kishte pranuar ofertën e Bayern.
“Sigurisht që Wenger do të kishte sukses. Ai e ka provuar se ka qenë një trajner fantastik dhe jam i bindur se do të ia dilte shumë mirë edhe këtu. Ndryshimi midis Wenger dhe Flick është se me këtë të fundit mund të komunikosh më lehtë.
Kur je i ri, je pak më i ndrojtur, po për sa i përket nga ana teknike ata që të dy janë në një nivel shumë të lartë”, deklaron gjermani, i cili ka luajtur në 18 ndeshje për Wenger kur ishte pjesë e Arsenal.
“Dortmund? Është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi luajnë dy skuadrat më të mira në Bundesliga kundër njëra-tjetrës. Kushdo që do të triumfojë, do të fitojë shumë besim për pjesën e mbetur të sezonit. Shpresoj që të jemi ne. Duke ditur dhe rëndësinë e kësaj ndeshjeje, shumë njerëz do ta shikojnë duelin, çka na motivon më tepër ne”, përfundon Gnabry. /abcnews.al