Basha: E vërteta do triumfojë, lufta e UÇK-së nuk barazohet me krimet e Millosheviçit

schedule14:09 - 5 Nëntor, 2020

schedule 14:09 - 5 Nëntor, 2020

Lideri i opozitës Lulzim Basha, ka reaguar në rrjetin social “Facebook” pas aktakuzave nga Gjykata Speciale.

Basha shkruan se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik të regjimit të Millosheviç.

Lideri i opozitës shprehet i bindur se, drejtësisë do t’i faktohen aktakuzat, sipas tij të pabaza.

“Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës”, shkruan Basha.

Statusi:

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë. Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot.

Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.

Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.

Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryeheshin krimet më çnjerëzore.

Asnjë shqiptar i Kosovës nuk i është fshehur drejtësisë por është përballur dhe ka ngadhnjyer. Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri./i.k/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!