Nga Marc Pierini
Tani nuk ka më asnjë dyshim se trajektorja e zgjedhur nga udhëheqësit e Turqisë, po shkon kundër interesave dhe vlerave të BE-së në një mori aspektesh të ndryshme. Sundimi i ligjit në këtë vend, po shkatërrohet në mënyrë sistematike.
Një politikë ekonomike absurde po dobëson një vend të madh partner të BE-së, dhe po rrezikon stokun e investimeve evropiane atje. Marrëdhëniet e Turqisë me fqinjët e saj janë përkeqësuar ndjeshëm, dhe thirrjet e Brukselit për dialog vazhdojnë të bien në vesh të shurdhër.
Rruga për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi Qipron, është mbyllur nga presidenti turk, që ka deklaruar se favorizon një zgjidhje me dy shtete për ishullin e ndarë që nga viti 1974. Politika e mbrojtjes e Ankarasë, ka qenë më shumë në favor të Rusisë, dhe jo NATO-s.
Politika e saj e jashtme është militarizuar, dhe është bërë e paparashikueshme. Ndërhyrja në Libi, ka krijuar shumë rreziqe për interesat evropiane, dhe mund të destabilizojë vendet e tjera në rajonin e Sahelit. Refugjatët po përdoren si një armë kundër Evropës, sikurse edhe u pa shkurtine këtij viti 2020 në kufirin tokësor me Greqinë.
Për më tepër, narrativa e përhershme kundër një Evrope gjoja Islamofobe, është krejtësisht e paqartë, dhe shihet më shumë si një instrument politik, sesa çdo gjë që i ngjan një shqetësimi me natyrë fetare. Për shembull, Turqia zhvilloi prej kohësh një fushatë masive kundër shtypjes që Pekini u bën Ujgurëve, një pakicë myslimane në Kinën Perëndimore, vetëm
për t`a anuluar atë plotësisht kur ishte në lojë një ndihmë kineze prej disa miliarda dollarësh
Tani udhëheqësit evropianë janë zgjuar. Përpjekjet e shumta për ta qetësuar presidentin turk kanë dështuar. Ai ka reaguar ndaj çdo përpjekje për uljen e tensioneve me heshtje ose provokim, sidomos pas ofertës që i bëri Këshillit Evropian më 1 Tetor.
Shumë zyrtarë në qarqet politike të Evropës, po mendojnë tani se një qëndrim i përhershëm i pafavorshëm ka të ngjarë të ndodhë në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe legjislative të Turqisë 2023 (gjithnjë nëse do të ndodhin), dhe ndoshta përtej këtij viti me rëndësi.
Një pjesë e armiqësisë ndaj Evropës, mund të shpjegohet me pengesat e brendshme politike dhe ekonomike,si dhe nga aleanca qeverisëse midis Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe Partisë së Lëvizjes Nacionaliste. Por një motiv tjetër i fortë, është gatishmëria e Turqisë për t’u distancuar nga Perëndimi, kur ajo ndjen se po rrezikohen interesat e saj kombëtare.
Kjo gjë ka prodhuar kohët e fundit kontradikta të shumta serioze:vendosja dhe testimi i raketave ruse S-400; sfidimi i kufijve detarë me Greqinë; bllokimi i politikës së NATO-s për të mbrojtur Poloninë dhe vendet baltike; pengimi i operacionit të NATO-s “Guardian Sea”, që synon të garantojë zbatimin e embargos së armëve kundër të gjitha palëve ndërluftuese në Libi.
Në praktikë – dhe përkundër pretendimeve të zëshme të Turqisë për të kundërtën – kjo do të thotë të heqësh dorë nga angazhimi ekskluziv ndaj aleancës së Atlantikut të Veriut. Përkundër prirjes së tij strukturore drejt dialogut, Këshilli Evropian nuk mund të ketë më një qasje “tërhiqe e mos e këput” dhe dashamirëse ndaj Ankaranë.
Është i nevojshëm një sqarim i plotë i politikës së Bashkimit Evropian me Turqinë në disa fronte – ushtri, punët e jashtme, ekonomi, refugjatët, sundimin e ligjit – bazuar në një vlerësim të kërcënimeve ndaj interesave dhe vlerave të BE-së.
Hartimi i një kursi veprimi nuk është një gjë e lehtë, jo vetëm për shkak të preferencave të ndryshme midis qeverive evropiane, por kryesisht për shkak të zgjedhjes së Ankarasë për të nxitur tensionin e përhershëm. Ka pak dyshime se disa qeveri të BE do të vazhdojnë të ndjekin ose mbështesin një qasje dashamirëse ndaj Turqisë, qoftë për arsye parimore, interesash ekonomike apo afiniteti autokratik.
Të tjerët do të preferojnë një qasje më muskulore. Ankaraja ka bërë deri më tani përpjekjet e saj më të mira, për t’i përçarë qeveritë evropiane dhe ka përdorur një ton jashtëzakonisht agresiv me Francën, Gjermaninë dhe Holandën. Pavarësisht nga vështirësitë, një plan-veprimi e BE-së duhet të synojë të mbulojë të paktën shtatë fushat e mëposhtme:
Kufijtë detarë në Mesdheun Lindor:Brukseli duhet të ndërmjetësojë zhvillimin e negociatave të drejtpërdrejta midis Ankarasë dhe Athinës, duke lëshuar një ftesë zyrtare për një takim fillestar.
Ekonomia:BE duhet të ftojë anëtarë për konsultime mbi politikën ekonomike,dhe të mbrojë një përmbysje të politikës së normës së interesit; të angazhohet në konsultime zyrtare mbi politikën tregtare të Ankarasë dhe të diskutojë ndër të tjera mbi thirrjen e paligjshme të Ankarasë për të bojkotuar produktet franceze. Ndërkohë, të angazhohet në një dialog me sektorin e biznesit të BE mbi rreziqet e politikave aktuale ekonomike në Turqi.
Refugjatët:Brukseli duhet të paraqesë në tryezë një ofertë të qartë dhe shumëvjeçare, për të mbështetur refugjatët sirianë që ndodhen në Turqi.
Punët e jashtme:Unioni duhet të zgjerojë mbështetjen konkrete për procesin e paqes të udhëhequr nga OKB në Libi, dhe të bashkëpunojë me Moskën dhe Uashingtonin për të ndalur luftën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi rajonin e kontestuar të Nagorno- Karabakut.
Ushtria:Duke pasur parasysh pengesat që Ankaraja i ka krijuar NATO-s, dhe përdorimin e aseteve ushtarake turke kundër interesave të BE, Brukseli duhet të rishikojë eksportet e BE të mallrave industriale me përdorim të dyfishtë, si dhe projekte inxhinierike dhe kërkimore.
Sundimi i ligjit:Evropa duhet të denoncojë në një mënyrë më aktive çmontimin sistematik të sundimit të ligjit në Turqi, dhe t`a theksojë efektin negativ mbi investimet evropiane në këtë vend. BE duhet të vendosë sanksione kundër individëve që kontribuojnë në mënyrë aktive në prishjen e shtetit ligjor në Turqi; dhe të rrisë mbështetjen e vet ndaj demokracisë dhe projekteve të të drejtave të njeriut.
Metodat:Brukseli duhet të dënojë vendosmërisht fyerjet dhe të vendosë sanksione kundër individëve që janë më të përfshirë në gjuhën e urrejtjes; ata që promovojnë fushata keq-informuese. Turqia është e lirë të hartojë një kurs krejtësisht të ri për veten e saj.
Por udhëheqësit e BE-së kanë për detyrë të mbrojnë vlerat dhe interesat e tyre. Bërja e një syri qorr, apo neglizhimi i asaj që udhëheqja e Turqisë po i bën vendit të vet, dhe politikave të saj ndaj BE-së dhe NATO, krijon një rrezik strategjik për qeveritë evropiane. Sjellja e butë ndaj Ankarasë, nuk është më një opsion.