Nga Enkeleda Bodini
Vajzat shqiptare gjithmonë kanë treguar se janë të afta të arrijnë atë që duan, kudo qofshin ato. Një prej këtyre vajzave me të cilat ne krenohemi është dhe Anita Likmeta, një gazetare shqiptare në Itali, e cila përveç këtij profesioni ajo është filozofe, sipërmarrëse dhe investitore. Anita, në një intervistë për abcnews.al ka rrëfyer jetën dhe karrierën e saj.
Anita Likmeta ka lindur në Durrës, është rritur në fshat, në kodrat e Rrubjekës, dhe ka pasur një fëmijëri sa të bukur aq edhe të trishtë, nga realiteti i asaj kohe.
“Unë jam rritur në fshat, e rrethuar nga gjelbërimi, por edhe nga varfëria kolektive e asaj Shqipërie që duket shumë larg, por e gjallë në kujtimet e mia”, thotë ajo për abcnews.al.
Në Itali fillimisht është larguar mamaja e saj, me motrën 4 vjeç dhe vëllain 9 muajsh. Si të gjithë shqiptarët, edhe ata kanë ikur me atë anijen e madhe të mbingarkuar me më shumë se 20 mijë shqiptarë, në kërkim të një jete më të mirë, të një të ardhmeje më të sigurt.
Anita nuk u largua me ta, por qëndroi me gjyshërit e saj, që kanë qenë si prindër për të.
“Unë qëndrova me gjyshërit në fshat. Në vitin 1997, falë një bashkimi familjar, munda të bashkohesha me familjen time në Itali”, tha Anita, e cila aso kohe ishte 11 vjeç
Të shkosh në një vend të huaj në një moshë aq të vogël dhe të përballesh me një realitet komplet ndryshe nga ai shqiptar, është shumë e vështirë, por jo e pamundur, për t’u përshtatur.
Mungesa e njohjes së gjuhës sjell mungesë komunikimi, dhe mungesa e komunikimit të pengon të tregosh kush je, të krijosh marrëdhënie. Të pengon të tregosh veten.
“Si fëmijë në Itali, ndjehesha në kafaz. Nuk dija asnjë fjalë dhe kjo më pengoi të komunikoja me italianët. Nuk arrija të tregoja veten, e as historinë time, tragjedinë time, që është tragjedia e të gjithë popujve që emigrojnë”, tha Anita për abcnews.al.
Por këtë fazë të vështirë, një vajzë luftarake si Anita, e kaloi. Ajo u arsimua. U diplomua në Liceo Classico, pastaj ndoqi Akademinë e Artit Dramatik Corrado Pani. Më vonë u regjistrua në universitet ku u diplomua për Histori dhe Filozofi në La Sapienza, në Romë. Ka përfunduar edhe studimet për Filozofi, në Paris.
Pas gjithë këtyre viteve studime, sot ajo është një sipërmarrëse. Ka investime në disa startup-e në Itali.
Jeta e Anitës është e lidhur ngushtë dhe me gazetarinë. Gjithçka ka nisur kur ajo ka botur një artikull në kolonat e “Il Fatto Quotidiano”. Artikulli u vlerësua aq shumë saqë pati festa të shumta nga televizionet. Pastaj, në vitin 2014, filloi një bashkëpunim me Huffington Post, ku ende vazhdon të shkruajë aty për tematikën e imigraconit.
Veç kësaj, ajo ka shkruar dhe shumë artikuj në gazeta të ndryshme të njohura italiane, ka marrë pjesë në talk show të shumtë, dokumentare te Rai etj.
Tani janë bërë 22 vjet që kur Anita është zhvendosur për të jetuar në Itali, dhe përgjatë kësaj periudhe ajo ka ardhur vetëm 2 herë në Shqipëri. Por kjo nuk do të thotë se ajo nuk e do vendin e saj, përkundrazi.
Për Anitën, Shqipëria, përveçse atdheu i saj, është një copëz zemre që akoma rrjedh gjak, është vendi që ka braktisur fiziksht të dashurit e saj. Shqipëria për tëështë edhe shpresë. Anita po punon për një projekt ndërkombëtar që përfshin edhe Shqipërinë, i cili do të sjellë investitorë të huaj të investojnë këtu.
Përveç kësaj, ajo ka dhe një ëndërr; të ndërtojë Muzeun e Artit Bashkëkohor të Durrësit, për nder të xhaxhait të saj piktor, që të gjithë e njohim, Ibrahim Likmetaj Kodra. Ndërkohë, po punon me Fondacionin Kodra për të realizuar një ekspozitë të ardhshme që do të mbahet në Itali.
Anita ka një mesazh për të rinjtë dhe të gjithë të tjerët: “Të jenë më seriozë në lidhje me talentet e tyre dhe të ndjekin ëndrrat. “Është një shprehje që thotë: ‘Ndiq ëndrrat e tua’, këtu mendoj se realiteti është më interesant se ëndrrat. U them të rinjve të krijojnë një rrjet, të komunikojnë, të guxojnë dhe të mos kenë frikë. Është e rëndësishme të jenë analitikë, të shikojnë gotën gjysmë të mbushur”.
Anita është një vajzë e suksesshme, dhe jo nga rastësia, por nga vullneti, këmbëngulja dhe guximi për të ecur drejt ëndrrës. Këto cilësi vlejnë shumë për të realizuar atë që më së shumti duan në jetë. Histori të tilla suksesi duhen ndarë çdo ditë, që të shërbejnë si motivim për ata që kanë një ëndërr dhe për të treguar se shqiptarë të tillë ka shumë, por thjesht historitë e tyre të suksesit akoma nuk janë ndarë me të gjithë./abcnews.al