Amerika që zgjodhi Donald Trump-in president në vitin 2016, ishte e pakënaqur dhe e përçarë. Vendi,të cilit ai po i kërkon ta rizgjedhë në detyrë, është akoma më i pakënaqur dhe më i përçarë. Pas thuajse 4 vite të udhëheqjes së tij, politika amerikane është edhe më e polarizuar.
Jeta e përditshme po gërryhet nga një pandemi, që ka shkaktuar deri tani gati 230.000 të vdekur. Dëmi kryesor është shkaktuar nga qasja e gabuar e zotit Trump ndaj pandemisë,ndaj fitorja e tij më 3 nëntor do t’i përkeqësonte më tej të gjitha gjërat.
Xho Biden nuk është një “kurë e mrekullueshme” për atë që e mundon sot Amerikën. Por ai është një njeri i mirë që do t’i rikthejë qëndrueshmërinë dhe sjelljen e civilizuar Shtëpisë së Bardhë. Ai ka përvojën e duhur për të nisur misionin e gjatë dhe të vështirë të ribashkimit të një vendit të fragmentarizuar.
Kjo është arsyeja pse nëse ne do të kishim një votë, ajo do të shkonte për zotin Biden. Trump ka dështuar më pak në rolin e tij si kreu i qeverisë amerikane, sesa si kreu i shtetit. Ai dhe administrata e tij mund të pretendojnë pjesën e tyre të fitoreve dhe humbjeve politike, ashtu si administratat e tjera me herët.
Por si një gardian i vlerave të Amerikës, si ndërgjegjja e kombit dhe zëri i Amerikës në botë, ai ka dështuar bujshëm për të qenë në lartësinë e kësaj detyre. Pa Covid-19, politikat e zotit Trump, mund t’i kishin dhënë atij një mandat të dytë.
Arritjet e tij në çështjet e brendshme përfshijnë uljen e taksave, lehtësimin e rregulloreve,dhe emërimin e konservatorëve në nivelet më të larta të sistemit gjyqësor. Para pandemisë, pagat e punonjësve më të varfër po rriteshin vetëm 4.7 për qind në vit.
Besimi i biznesit të vogël ishte më i larti në30 vitet e fundit. Duke e kufizuar emigracionin, ai u dha votuesve të tij atë që dëshironin. Jashtë vendit, qasja e tij përçarëse ka sjellë një ndryshim të mirëpritur. Amerika e shkatërroi Shtetin Islamik, dhe ndërmjetësoi një marrëveshje paqësore midis Izraelit dhe 3 vendeve myslimane.
Disa aleatë në NATO, po shpenzojnë më në fund më shumë për mbrojtjen. Qeveria kineze e di se Shtëpia e Bardhë e sheh atë si një kundërshtare të frikshme. Por kjo listë përmban edhe mjaft dështime. Kështu shkurtimet e taksave ishin regresive.
Disa nga rregulloret e anuluara ishin të dëmshme, sidomos për mjedisin. Përpjekja për ta reformuar sistemin e kujdesit shëndetësor ka qenë një gabim. Zyrtarët e emigracionit, i ndanë mizorisht fëmijët nga prindërit e tyre emigrantë, ndërsa kufizimet për hyrjet e reja në vend, do të dëmtojnë vitalitetin e Amerikës.
Për problemet më të vështira –me Korenë e Veriut dhe Iranin, dhe garantimin e paqes në Lindjen e Mesme – Trump nuk ia ka dalë të bëjë më mirë sesa establishmenti i Uashingtonit,me të cilin ai ka qejf të tallet. Sidoqoftë, mospajtimi ynë kryesor me zotin Trump, është për diçka më thelbësore.
Në 4 vitet e fundit, ai ka përdhosur vazhdimisht vlerat, parimet dhe praktikat që e bënë Amerikën një strehë për njerëzit e saj, dhe një fanar ndriçues për botën. Ata që e akuzojnë Bidenin për të njëjtën gjë ose më keq akoma, duhet të ndalen dhe të reflektojnë pak.
Ata që shpërfillin sjelljet bullizuese dhe gënjeshtrat e Trumpit, po injorojnë dëmin që kanë shkaktuar ato. Politika tribale ka qenë në qendër të presidencës Trump. Në asnjë rast, ai nuk ka synuar të përfaqësojë shumicën e amerikanëve që nuk votuan për të.
Përballë protestave paqësore pas vrasjes së George Floyd, instinkti i tij nuk ishte bashkimi, por cilësimi i tyre si plaçkitjeje dhe dhunë nga krahu i majtë. Falë këtij polarizimi, sot 40 për qind e elektoratit beson se pala tjetër nuk është thjesht gabim, por e ligë.
Nga ana tjetër, tipari më kryesor i presidencës Trump është përbuzja e tij për të vërtetën. Të gjithë politikanët mashtrojnë herë pas here, por administrata e tij i ka dhënë Amerikës “fakte alternative”. Asgjë që thotë zoti Trump nuk mund të besohet, përfshirë pretendimet e tij se Biden është i korruptuar.
Mbështetësit e tij në Partinë Republikane ndihen të detyruar ta mbrojnë. Militantizmi dhe gënjeshtra po minojnë normat dhe institucionet. Sistemi amerikan i kontrollit dhe balancës është dëmtuar seriozisht. Ky president bën thirrje që kundërshtarët e tij të hetohen.
Ai e përdor Departamentin e Drejtësisë për t’u hakmarrë. Ai zbut dënimet ndaj mbështetësve të dënuar për krime të rënda; i jep familjes së tij postet kryesore në Shtëpinë e Bardhë; dhe u u ofron qeverive të huaja mbrojtje në këmbim të goditjeve ndaj një rivali.
Kur një president hedh dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve vetëm pasi ato mund ta ndihmojnë atë që të fitojë, ai e minon demokracinë që është betuar ta mbrojë. Me pandeminë e Covid-19, Trump kishte shansin të bashkonte vendin e tij rreth një përgjigje të mirë-organizuar, dhe të fitonte rizgjedhjen në detyrë, siç kanë bërë udhëheqësit e tjerë.
Në vend të kësaj, ai i pa guvernatorët demokratikë si rivalë. Ai u tall dhe përçmoi institucionet amerikane të klasit botëror, sikurse janë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Siç ndodh shumë shpesh, ai e përqeshi shkencën, përfshirë edhe këshillën e ekspertëve për përdorimin e maskave. Dhe në pamundësi për të parë përtej rizgjedhjes së tij, ai ka vazhduar ta keqinterpretojë të vërtetën e dukshme në lidhje me epideminë dhe pasojat e saj.
Amerika ka shumë nga shkencëtarët më të mirë në botë. Por gjithashtu ka një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë në botë nga Covid-19.Trump i ka trajtuar aleatët e Amerikës me të njëjtën mendje-ngushtësi. Aleancat janë ato që e zmadhojnë ndikimin e Amerikës në botë.
Vetëm fuqia ushtarake amerikane nuk mund të transformojë vendet e huaja, siç dëshmuan luftërat e gjata në Afganistan dhe Irak. Por idealet amerikane shërbejnë realisht si shembull për demokracitë e tjera, dhe për njerëzit që jetojnë në shtete që i përndjekin qytetarët e tyre. Por Trump mendon se idealet janë për dështakët. Qeveritë e Kinës dhe Rusisë, e kanë parë gjithnjë retorikën amerikane mbi lirinë si një fasadë cinike ndaj besimit se mund të jetë e drejtë. Tragjikisht, nën Trumpin dyshimet e tyre janë konfirmuar.
Edhe 4 vjet të tjera të një presidenti kaq të keq si zoti Trump, do të thellonin më tej që të gjitha këto dëme. Në 2016 votuesit amerikanë nuk e dinin kë po zgjidhnin. Sot e dinë.
Nëse do të zgjedhin sërish Trump, ata do të votonin për ndarjen dhe gënjeshtrat, për shkeljen e normave dhe reduktimin e institucioneve kombëtare në feude personale. Rizgjedhja do t’i vinte një vulë demokratike të gjitha dëmeve që ka shkaktuar deri tani Trump.
Biden nuk do të jetë në gjendje t’i japë fund armiqësisë së hidhur që po rritet për dekada me radhë në Amerikë. Por ai mund të fillojë të ndërtojë rrugën drejt pajtimit. Megjithëse politikat e tij janë më të majta se administratat e mëparshme demokrate, ai nuk është revolucionar.
Premtimi i tij për të “ndërtuar më mirë”, me një vlerë2-3 trilionë dollarë, do të rriste shpenzimet vjetore me rreth 3 për qind të PBB-së. Taksa e tij e rritur mbi kompanitë dhe të pasurit do të ishte domethënëse, por jo ndëshkuese. Ai do synojë të rindërtojë infrastrukturën e dobët të Amerikës, t’i japë më shumë fonde sistemit shëndetësor, arsimit, dhe të lejojë hyrjen e më shumë emigrantëve.
Politika e tij mbi ndryshimin e klimës,parashikon investime në kërkime dhe teknologji për shtimin e vendeve të reja të punës. Ai është një administrator kompetent, i dëgjon këshillat e ekspertëve, edhe kur ato janë të papërshtatshme. Ai është një multilateralist:më pak konfrontues se Trump, por më i fokusuar në qëllimet e tij.
Republikanët e lëkundur shqetësohen se një Bidden i moshuar dhe me shëndet të dobët, do të ishte një “Kalë Troje” për të majtët radikalë. Është e vërtetë që krahu radikal i partisë së tij është shumë aktiv, por ai dhe Kamala Harris, kandidatja për zëvendëspresidente kanë treguar në fushatë se mund ta mbajnë atë nën kontroll.
Në këto zgjedhje Amerika përballet me një zgjedhje shumë më rendësi. Në lojë është natyra e demokracisë së saj. Një rrugë të çon drejt një sundimi të personalizuar, të dominuar nga një kryetar shteti që përbuz mirësinë dhe të vërtetën. Tjetra të çon në diçka më të mirë, që kjo media i sheh si vlerat që fillimisht e bënë Amerikën një frymëzim në të gjithë botën.
Në mandatin e tij të parë, Donald Trump ka qenë një president shkatërrues. Ai do të fillonte të dytin duke ritheksuar të gjitha instiktet e tij më të këqija. Xho Biden është antiteza e tij.
Po të zgjidhej, suksesi nuk do të ishte i garantuar. Por ai do të hynte në Shtëpinë e Bardhë me premtimin e dhuratës më të çmuar që mund të japin demokracitë:ripërtëritjen.
/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al